Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se disa nga personat e arrestuar lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, kanë qenë të përfshirë më herët edhe në rastin e djegies së Gjykatës së Kaçanikut në mars të vitit 2024.
“Ne kemi arritur që të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë edhe për raste të mëhershme, kanë qenë të ndërlidhur me prirje ekstremiste. Janë persona të dyshimtë, të rrezikshëm të cilët ne dyshojmë se kanë kryer këtë vrasje dhe kanë planifikuar dhe kanë ekzekutuar”, deklaroi Hoxha para gazetarëve të martën.
Por këto deklarata janë kundërshtuar nga përfaqësuesja ligjore e njërit prej të dyshuarve për vrasjen, Diamant Gashi, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.
Ajo tha se klienti i saj dhe të dyshuarit e tjerë për vrasjen nuk janë të njëjtët persona që janë përfshirë në rastin e djegies së gjykatës.
“Shkalla e parë i ka liruar. Apeli ende nuk ka vendosur. Ndërsa departamenti special i Gjykatës, klientin tim, Elmendin Rakën, e ka drituar, e ka vërtetuar Gjykata e Apelit. KGJK-kja ma ka dhënë ofertën për dëmshpërblim. Nuk janë këta persona”, ka thënë Gashi në Debat Plus.
Në të njëjtën linjë qëndrimesh është shprehur edhe gazetari Kreshnik Gashi, i cili ka pohuar qartë se “personat që janë arrestuar për djegien e gjykatës nuk janë në këtë rast”.
Të dyshuarit aktual për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika janë: një i mitur me inicialet R.B., si dhe Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka.
Masa të rrepta sigurie, dalin para gjykatës të dyshuarit për vrasjen e policit