Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë të enjten në Prishtinë protestë për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Në një njoftim mbrëmjen e të mërkurës, pas vrasjes së një gruaje 35-vjeçare e njëherit, shtatzënë nga burri i saj me të cilin thuhet se ishte në procedurë të divorcit, bëhet e ditur se protesta do të nisë në ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se nesër me 1 dhjetor 2022 në ora 16:00 do të mblidhemi tek sheshi Zahir Pajaziti për të protestuar dhe për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare. Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bënë burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje”, thuhet në njoftim.

Kësaj thirrje i është bashkangjitur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

‘Në nevojë emergjente për solidarizim me njëra-tjetren dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive, dhe në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra, ju ftojmë të na bashkangjiteni nesër, në protestë, prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti, Prishtinë. Brenda një jave, dy burra vranë dy gra. Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale! Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë!”, thuhet në njoftim.