Më 14 nëntor, në Dhomat e Specializuara do të nisë gjykimi ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, të cilët akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave dhe për frikësim gjatë procedurave penale.

Sipas akuzave të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), mes datave 5 dhe 13 prill 2023, Januzi dhe Bahtijari, me urdhër të Shalës, janë takuar me një dëshmitar në dy raste, për ta nxitur që të tërhiqte dëshminë e tij përmes kërcënimeve të rënda dhe premtimeve për përfitime të mundshme.

“Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale. Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, më 9 dhjetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.

“Më 14 nëntor, Kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarit, do t’i informojë ata mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do t’i pyesë nëse e kanë kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshirojnë të konfirmojnë vetëdeklarimin e tyre të mëhershëm si të pafajshëm. Më pas, ZPS-ja do të paraqesë deklaratën hyrëse që do të pasohet nga deklaratat hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe Mbrojtjes së Shalës. Sikurse kanë kërkuar palët përkatëse, Trupi Gjykues ka planifikuar dy orë për deklaratën hyrëse të ZPS-së, një orë për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe 30 minuta për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Shalës. Mbrojtja e Bahtijarit do ta mbajë deklaratën hyrëse të kërkuar në një datë të mëvonshme, pasi ZPS-ja të ketë thirrur dëshmitarët dhe të ketë paraqitur provat e saj. Më 9 dhjetor 2024, ZPS-ja do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve”, thuhet më tej në njoftim.