Ishte 15 qershori i vitit 2021. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte mbërritur në Bruksel, ku e priste një takim i rëndësishëm.

Në kryeqendrën evropiane, Kurti për herë të parë do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, në kuadër të procesit të dialogut.

Fërkimet nga distanca, bëjnë që edhe fotografitë të tregojnë një atmosferë jo miqësore.

Kështu, ishin edhe deklarimet menjëherë pas tij.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë nuk u pajtuan gati për asgjë.

E vetmja pikë për të cilën u arrit dakordim, ishte që të takohen përsëri.

Mirëpo, takimi i dytë mes tyre në kuadër të dialogut, përfundoi më keq se i pari.

Propozimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që dy shtetet të nënshkruajnë një deklaratë të paqes, e nervozoi Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Madje, Vuciq pas takimit tha se iu përgjigj Kurtit në një mënyrë brutale.

E pala kosovare, nuk e priti mirë faktin që kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, u zëvendësua me asokohe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq.

Kështu, prej këtij takimi tensionues, mes Kurtit e Vuçiq nuk ndodhi asnjë takim.

Prej takimit të fundit, e deri tek ai i 18 gushtit, në Kosovë, Serbi, por edhe në botë shumë gjëra kanë ndryshuar.

Në shkurt të këtij viti nisi lufta në Ukrainë, situatë e cila duket se e ka nxituar Bashkimin Evropian që të tentoj ta zgjidhë sa më shpejtë situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Që prej fillimit të luftës, autoritetet kosovare janë rreshtuar me Perëndimin në krah të Ukrainës, ndryshe nga Serbia e cila nuk është distancuar qartazi nga agresioni i Rusisë.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar një ditë më parë se në Bruksel pos zhvillimeve të fundit, pritet të diskutohet edhe për parimet e një marrëveshje finale mes shteteve.