Të enjten takohen grupet punuese për targat

Të enjten e shtatë prillit do të zhvillohet takimi i radhës i grupit punues për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo sepse më 21 prill do të skadojë ujdia e arritur në Bruksel.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka njoftuar se takimi tjetër do të mbahet më 20 prill derisa më 21 prill Qeveria do të dalë me një qëndrim lidhur me këtë marrëveshje.

“Shpresojmë se do të ketë qasje konstruktive të dy palëve që do të çonte në një zgjidhje, dhe takimi tjetër mbahet më 20 prill. Në datën 21 prill duhet të dalë raporti final se a kemi zgjidhje apo jo”, është shprehur Bislimi gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi

Ai ka thënë se zgjidhja që duhet të arrihet s’mund të jetë vazhdim i situatës aktuale, sepse, siç theksoi Bislimi, stikersat as nuk janë zgjidhje permanente, as nuk janë në harmoni me standardet e BE-së.

“Do të thotë në çfarëdo zgjidhje që të vijmë është avancim i situatës dhe është përmirësim i gjendjes ekzistuese”.

Sipas tij, pala kosovare është duke negociuar në mirëbesim me idenë që të arrihet një zgjidhje finale që avancon situatën e tanishme në një zgjidhje permanente, dhe sipas standardeve dhe praktikave më të mira të BE-së.

“Këto janë dy kriteret bazë në të cilat orientohet grupi ynë. Palëve u janë dhënë alternativa të ndryshme, por ato detyrohen se brenda këtyre alternativa ta zgjedhin preferencën e tyre por duke pasur parasysh këto dy principe, të jetë zgjidhje permanente dhe të jetë në harmoni me standarded dhe praktikat më të mira të BE-së”, kishte thënë ai.

 

Mbi 300 mijë stikersa janë lëshuar që nga vendosja e reciprocitetit

Policia e Kosovës, që nga 20 shtatori i vitit 2021, nuk ka lejuar që veturat me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës.

Derisa Serbia kishte vendosur targa të përkohshme, të njëjtën gjë kishte vendosur ta bënte edhe Kosova me veturat që vijnë nga Serbia.

Për këtë Qeveria e Kosovës vendosi të përdorte stikersat.

Vendosja e stikersave ne targat serbe

Ndryshe nga ministria që nuk i disponon të dhënat për pikat kufitare, zyra e informimit nga Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini ka njoftuar se deri më 28 mars, në kuadër të Departamentit për kufi, janë lëshuar, gjithsej, 359 mijë e 308 stikersa në total.

Ndërsa sa i përket veprimeve policore dhe gjobave të shqiptuara lidhur me moszbatimin e vendimit qeveritar, policia ka treguar se janë mbi pesë mijë stikersa të lëshuara në trafik.

Kurse numri i gjobave të shpërndara në trafik është mbi 100.

Në anën tjetër në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar statistikat të cilat i posedojnë.

Sipas ministrisë, që nga katër tetori i vitit 2021 e deri më 28 mars të këtij viti, janë shpërndarë mbi katër mijë letra ngjitëse.

“Deri më tani, nga Qendra për Regjistrimin e Automjeteve janë dhënë katër mijë e 775 palë letra ngjitëse”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ndonëse thonë se nuk kanë hasur në ndonjë problem, nga kjo ministri thuhet se nga lista tabelare me statistika, Zveçani qëndron në krye të saj.

Në komunën e Zveçanit janë dhënë një mijë e 58 letra ngjitëse.

Pas saj renditet Zubin Potoku me, gjithsej, 763 stikersa të lëshuara dhe Graçanica me 691 sosh.

Kurse vendi ku janë lëshuar më së paku letrat ngjitëse, sipas ministrisë, është Gjakova, në të cilën deri në datën e lartcekur është lëshuar vetëm një e tillë.

 

“Marrëveshja e përkohshme – profitabile për Kosovën”

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për RTV Dukagjini, ka thënë se më e leverdishme për Kosovën do të ishte marrëveshja aktuale, e përkohshme.

Kjo sepse, sipas tij, Serbisë i imponohet vendimi politik për këtë çështje.

“Profitabile do të ishte nëse janë të përkohshme si marrëveshje për Kosovën sepse në njëfarë mënyre e detyrojmë edhe ne Serbinë që ta bëjë atë që dëshiron, që nuk mund ta imponojë veprimin dhe kjo e bën Kosovën faktor në tavolinë”, ka thënë Arifi.

Dritëro Arifi, Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare

Derisa ka thënë se në tavolinë janë rreth tetë modele të paraqitura nga BE-ja, dhe se tani varet nga palët se për cilin do të dakordohen, Arifi beson se marrëveshja do të jetë e përkohshme deri sa të zgjidhen çështjet përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Deri në zgjidhjen e çështjeve përfundimtare në mes dy vendeve marrëveshjet do të jenë në nivel vetëm të përkohshëm. Kjo sepse problemi qëndron në atë se edhe pse Kosova ka insistuar që të njihen simbolet e të dyja vendeve, Serbia nuk e pranon këtë çështje”, shtoi ai.

 

Shtatori i targave

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës pati vendosur masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim ishte pasuar me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ndërkaq dhjetë ditë më vonë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më katër tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja e zhbllokoi situatën në Veri, të krijuar pas bllokadës me barrikada nga ana e serbëve protestues kundër zbatimit të masës së reciprocitetit me Serbinë.

 

Marrëveshja e arritur në Bruksel më 30 shtator përmban tri pika

Në pikën një, thuhet se “Forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë, maksimalisht, deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”.

Në pikën dy thuhet se “nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Takimi i dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Brukselit

Në pikën e tretë të marrëveshjes thuhet se “do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së”.

“Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë duke vendosur etiketat ngjitëse në targat e automjetit të tij”.

 

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovicë), janë hequr.

Automjetet me këto targa është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.

Të njëjtat ishin të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targat RKS.

Pamje nga barikada e serbve e vendosur në Jarinje, shtator 2021

Atyre u është dashur t’i zëvendësojnë me targa të përkohshme, dhe kësisoj Kosova detyrohej që të lëshonte targa KS të cilat pranoheshin nga Serbia.

Ndryshe, marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes është finalizuar në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016, atëherë kur Kosova kishte pranuar që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Ndërkaq, kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.

“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.

Kryeministri Albin Kurti

 

Provokimi i Serbisë me avionë ushtarakë dhe bllokimi i rrugëve

Njësia Speciale Operative, në mëngjesin e 20 shtatorit ishte vendosur në pikëkalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Jarinjë e Bërnjak, për të nisur reciprocitetin e targave.

Tashmë nuk lejohej qarkullimi i veturave me targa të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Kjo pasoi me grumbullimin e qytetarëve serbë afër pikave kufitare të cilët i kishin bllokuar rrugët me kamionë.

Policia e Kosovës dhe barikada e serbëve në Jarinje, shtator 2021

Madje përkrahje kishin marrë edhe nga shteti serb, i cili me anë të helikopterëve ushtarakë provokoi situatën në veri të vendit.

Kërcënimet e Serbisë vazhdonin.

Lista Serbe kishte vendosur billborda në komuna me shumicë serbe me mbishkrimin ““Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”.

Megjithatë, për 13 ditë radhazi, vendkalimet kufitare në Jarinjë e Bërnjak ishin në bllokadë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, barrikadat dhe Njësitë elite të Policisë së Kosovës u larguan nga dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa, monitorimin e situatës atje u vendos ta bëjë KFOR-i. Pas dy jave monitorimi trupat e tyre u larguan.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika