Të hënën, Nehammer takon Putinin

Kancelari austriak, Karl Nehammer, planifikon t’i bëjë vizitë Vladimir Putinit, të hënën. Ai synon t’i tregojë presidentit rus se ai “ka humbur luftën moralisht”.

Nehammer do të bëhet lideri i parë perëndimor që do të takohet me Putinin që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të zhvillojë bisedime me kryeministren e Indisë, Narendra Modi. Pjesë e këtyre bisedimeve do të jetë edhe mosrritja e eksporteve të naftës së papërpunuar ruse.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ka thënë se dikush duhet t’i tregojë Putinit të vërtetën. “Ka ndryshim të jesh ballë për ballë dhe t’i tregosh atij se cili është realiteti, që ky president de facto e ka humbur luftën moralisht,” ka thënë Schallenberg përpara takimit me homologët e tij të BE-së.

“Duhet të jetë në interesin e tij që dikush t’ia thotë të vërtetën. Mendoj se është e rëndësishme dhe ia kemi borxh vetes, nëse duam të shpëtojmë jetë njerëzish”, ka vazhduar ai.

Nehammer ka thënë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, me të cilin u takua të shtunën, ishte i informuar për udhëtimin e tij në Moskë. Të informuar ishin edhe liderët e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Austria, e cila nuk është anëtare e NATO-s, po bën thirrje për korridore humanitare, një armëpushim dhe hetim të plotë të krimeve të luftës.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, dukej skeptik në lidhje me bisedimet e mëtejshme me Putinin, pasi një seri vizitash të profilit të lartë nga liderët e BE-së nuk arritën ta pengonin liderin rus të niste sulmin e tij. Ai tha:“Kam parë shumë përpjekje nga shumë udhëheqës, nga Emmanuel Macron, për të provuar nëse mund të flasin me të. Unë, personalisht, nuk kam asnjë arsye të besoj se ai është i disponueshëm për të folur”.

Vizita vjen pasi Zelenskiy paralajmëroi se trupat ruse do të kalojnë në “operacione edhe më të mëdha” në lindje të Ukrainës. Në fjalimin e tij Zelenskiy akuzoi, gjithashtu, Rusinë se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për krimet e luftës. “Kur njerëzve u mungon guximi për të pranuar gabimet e tyre, për të kërkuar falje, për t’u përshtatur me realitetin dhe për të mësuar, ata shndërrohen në monstra. Dhe kur bota e injoron atë, përbindëshat vendosin se është bota ajo që duhet të përshtatet me ta. Ukraina do ta ndalojë gjithë këtë”, ka thënë ai.

Të hënën, Rusia ka bërë të ditur se kishte shkatërruar sistemet e mbrojtjes ajrore në Ukrainë gjatë fundjavës, në atë që dukej të ishte një shtytje e ripërtërirë për të fituar epërsi ajrore dhe për të hequr armët që Kievi i ka përshkruar si vendimtare, përpara një ofensive të re të gjerë në lindje.

Ministrat e BE-së kanë takuar Karim Khan, kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë, dhe Iryna Venediktova, kryeprokuroren e Ukrainës, e cila është e ngarkuar me mbikëqyrjen e rreth 2,000 rasteve të krimeve të luftës, të kryera nga forcat pushtuese ruse.

Disa ministra kanë konfirmuar se BE-ja po hartonte sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, duke synuar shitjet fitimprurëse të naftës, megjithëse mbetet e paqartë se sa shpejt do të lëvizë blloku në uljen e importeve të naftës së papërpunuar ruse. BE-ja ka ndaluar qymyrin rus nga gushti, por Gjermania kundërshton një embargo të menjëhershme të naftës.

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney, ka konfirmuar se Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për propozimet e sanksioneve, “po punon tani për të siguruar që nafta të jetë pjesë e paketës së ardhshme të sanksioneve”.

“Bashkimi Evropian po shpenzon qindra milionë euro për importimin e naftës nga Rusia, që, sigurisht, po kontribuon në financimin e kësaj lufte. Ne duhet ta ndërpresim atë financim, “ka thënë Coveney. “Sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë.”

Blloku i cili importon 27% të naftës së tij nga Rusia, ka të ngjarë të debatojë gjatë periudhës së ndërprerjes. Gjermania është zotuar të heqë gradualisht qymyrin dhe naftën ruse deri në fund të vitit, por ka thënë se përfundimi i varësisë nga gazi rus do të zgjasë të paktën deri në vitin 2024.

Duke iu referuar këtyre planeve, Baerbock ka thënë: “Ne kemi nevojë për një plan të përbashkët, të koordinuar, për të hequr plotësisht lëndët djegëse fosile, për të qenë në gjendje të tërhiqemi si Bashkimi Evropian”.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka shprehur keqardhje për agresionin brutal të trupave ruse kundër popullsisë civile, por nuk ka pranuar të shtjellojë veprimet e mëtejshme të BE-së kundër Rusisë, duke deklaruar: “sanksionet janë gjithmonë në tryezë”.

SHBA, e cila ka bërë presion ndaj Berlinit për të ndërprerë lidhjet ruse energjetike, pritet të veprojë në të njëjtën mënyrë me Indinë, më vonë të hënën. India nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Duke përfituar nga çmimet e ulëta, India ka blerë 13 milionë fuçi naftë bruto ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, krahasuar me 16 milionë fuçi në të gjithë vitin 2021, sipas “Reuters”.

Biden ka akuzuar Indinë se është i vetmi vend “disi i lëkundur” në grupin Quad të kombeve, i cili përfshin Japoninë dhe Australinë.

“Presidenti Biden do të vazhdojë konsultimet tona të ngushta mbi pasojat e luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës, dhe zbutjen e ndikimit të saj destabilizues në furnizimin global të ushqimit dhe tregjet e mallrave”, ka thënë Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Ndërsa sanksionet perëndimore vazhdojnë të shtohen, një zëdhënës i Kremlinit ka thënë se nuk kishte arsye objektive për një mospagim të borxhit rus, dhe se një rezultat i tillë do të ndodhte vetëm nëse projektohet nga të tjerët.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika