Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar heqjen e bllokut tarifor të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Duhet të hiqet blloktarifa, kjo është e rëndësishme, hiqe blloktarifën, rrite çmimin e energjisë elektrike për 15 për qind. Blloktarifa është ajo plaçka e madhe që i bëhet qytetarit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e transparencës në shpenzimet e subvencioneve në sektorin e energjisë elektrike.

“Sa i përket komisioneve hetimore janë shumë të limituar në arritjen e informatave, sepse ne e kemi parë edhe në rastin e rezervave shtetërore që na humbën komplet, ne nuk kemi arritur t’i sigurojmë dokumentet e nevojshme për t’i parë, ne si komision sepse na i kanë fshehur”, ka deklaruar tutje ai.

Ai ka akuzuar institucionet për keqpërdorime dhe mungesë bashkëpunimi, duke thënë se komisionet hetimore kanë vështirësi në sigurimin e dokumenteve të nevojshme për hetime.

Megjithatë, ai ka insistuar se ka indikacione të keqpërdorimeve të mëdha dhe ka akuzuar politikisht kryeministrin Albin Kurti për to.

“Nuk mundesh me konkludu që Kurti e vjedh rrymën, sepse ai nuk e shet as nuk e blen. Unë besoj se ka keqpërdorime të mëdha. Duke mos treguar shpenzimin e subvencioneve në energjinë elektrike, duke vendosur njerëz që punojnë në ZRRE në linjë me të, përcaktojnë çmimin e energjisë elektrike në linjë me të, pra duke mos na dhënë qasje në dokumente. Qytetarët paguajnë rrymë më shumë për shkak të keqpërdorimit të institucioneve tona, koka e këtyre keqpërdorimeve politikisht mund të them kryeministri Kurti”, ka deklaruar mes tjerash Tahiri.