Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, me arsyetimin se ka dështuar t’i sigurojë tekstet shkollore për fëmijët.

Jehona Lushaku, kryetare e forumit të gruas në LDK, tha se Nagavci vazhdimisht është duke bërë shkelje të ligjeve derisa shtoi se “Kosova nuk e meriton një ministre që ka dështuar të menaxhojë me sistemin e arsimit”.

“Kërkojmë dorëheqjen e ministres Nagavci për shkak të keqmenaxhimit shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi, fillimisht kushtetutës dhe anarkisë në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar çdo nivel të menaxhojë me arsimin, përfundimisht është dorëzuar për t’ia bartur përgjegjësinë prindërve. Një ministre dhe një qeveri është e dëmshme për Kosovën, prandaj ikja e saj do të duhej bërë menjëherë”, tha ajo.

Sipas saj, ndryshimi procedural ku tekstet shkollore do t’i blejnë prindërit për fëmijët e tyre e më pas të rimbursohen, është shkelje e ligjit.

“Ministrja për paaftësinë për të siguruar libra, qeveria ka vendosur që t’ia bartë përgjegjësinë prindërve, duke e ndryshuar metodën e furnizimit me tekstet edhe duke krijuar konfuzitet te prindërit e shkollat. Një ndryshim procedural në minutat e fundit pa një vendim të qartë, duke mos ditur rezultatet, e gjithë kjo situatë dëshmon papërgjegjësinë e qeverisë për ta menaxhuar procesin dhe për t’i siguruara tekstet shkollore me kohë, që është obligim ligjor. Shpërndarja e librave falas është e paraparë me ligjin në fuqi, neni 26 paragrafi 4, thotë se tekstet shkollore për nivelin një dhe 2 duhet të sigurohen falas. Kjo qeveri i ka ikur përgjegjësisë duke e shkelur ligjin në fuqi”, tha ajo.

Sipas saj, nëse librat blihen me pakicë në librari, ato do të kushtojnë më shtrenjtë sesa buxheti i paraparë nga Ministria e Arsimit. Sipas saj, kostoja e çmimeve të librave shkollorë do të rritet 20 për qind më shumë.

Ajo tha se në disa komuna nuk ka librari ku mund të blihen librat dhe se kjo do bëhet barrë për prindërit.

“Në emër të kursimit të buxhetit, i cili do të jetë më i kushtueshëm, nuk do të kursejë, por blerja me pakicë do të kushtojë më shumë, çmimi do të dalë më i shtrenjtë sepse do të përfshihen kostot e shitjes me pakicë etj… Këtu nuk po llogarisim angazhimin e prindërve që do të duhej të kushtojë ekstra, në disa komuna nuk ka as librari. Çmimi i librave do të dalë minimalisht 20% më i shtrenjtë sesa buxheti i planifikuar për to. Pretendimi i caktimit të çmimit tavan është i vështirë në këtë fazë… Shuma mund të shkojë më shumë se 2 milionë nga buxheti i paraparë. Nuk është zgjidhje inovative, por ka ardhur nga paaftësia totale e ministres”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është hera e parë në histori të Kosovës ku shteti dështon t’i sigurojë librat për fëmijët.