Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë e besimit, sakrificës dhe vlerave të solidaritetit në shoqëri.
Në mesazhin e tij, Tërnava ka kujtuar madhështinë e kësaj feste, e cila lidhet ngushtë me Haxhin dhe qëndrimin në Arafat, ku miliona besimtarë nga mbarë bota bashkohen në lutje, kërkim falje dhe përulësi para Zotit.
Ai ka theksuar se Kurban Bajrami mbart simbolikën e sakrificës dhe afrimit me Zotin, duke potencuar se “njeriu fiton vlerë kur ndan nga vetja për të tjerët dhe ndihmon nevojtarin”.
“Bajrami na kujton nevojën për paqe, drejtësi, mëshirë dhe solidaritet mes njerëzve”, ka thënë ai, duke shtuar se këto vlera janë themel për forcimin e familjes dhe shoqërisë.
Tërnava ka bërë thirrje që në kohët e sfidave politike dhe ekonomike, shoqëria të tregojë më shumë përgjegjësi, unitet dhe shpresë, duke e parë festën si mundësi për afrim dhe tejkalim të ndasive.
Ai ka uruar që Kurban Bajrami të sjellë paqe, mirëkuptim dhe harmoni në çdo familje në Kosovë dhe më gjerë.
Tërnava, ka deklaruar se vendi po hyn në një periudhë të rëndësishme për të ardhmen demokratike, duke iu referuar zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka theksuar se muajt e ardhshëm përbëjnë një moment vendimtar për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe drejtimin që do të marrë shteti.
Tërnava u ka bërë apel të gjitha forcave politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt të ndërsjellë, duke u distancuar nga gjuha e urrejtjes dhe përçarjes.