




Të martën e 29 nëntorit, NATO mblidhet për të siguruar mbështetjen e nevojshme për Ukrainën.
Ministrat e Jashtëm nga vendet në aleancën ushtarake perëndimore do të mblidhen në Rumani që të diskutojnë sesi mund ta ndihmojnë Ukrainën pas sulmeve ruse në objektet energjetike.
Vendtakimi në Bukuresht është i rëndësishëm ,duke pasur parasysh luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ishte prilli i vitit 2008 kur ish-presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, ka bindur aleatët e NATO-s se Ukraina dhe Gjeorgjia një ditë do t’i bashkoheshin aleancës ushtarake, ndërsa Rusia pushtoi Gjeorgjinë katër muaj më vonë.
“Dimri si një armë lufte”
Zyrtarët do të mblidhen gjatë dy ditëve të ardhshme në Pallatin e Parlamentit në Bukuresht.
Udhëheqësit e NATO-s mund të bëjnë premtime të reja për mbështetje jo vdekjeprurëse për Ukrainën, duke përfshirë karburantin, gjeneratorët, furnizimet mjekësore, pajisjet dimërore dhe pajisjet e bllokimit të dronëve.
Në javët e fundit, infrastruktura kritike e Ukrainës është goditur nga sulmet ruse, duke ndërprerë furnizimin me energji dhe ujë për periudha të gjata kohore.
Përpara takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin “po përpiqet të përdorë dimrin si një armë lufte” dhe se Ukraina duhet të jetë “e përgatitur për më shumë sulme”.
Këshilli Norvegjez i Refugjatëve ka paralajmëruar të premten se Evropa duhet të përgatitet për qindra mijëra refugjatë ukrainas, duke thënë se ata përballen me zgjedhjen e zymtë midis “ikjes ose ngrirjes” këtë dimër.
Aleatët individualë duket se do të premtojnë më shumë furnizime ushtarake, veçanërisht, sisteme të reja të mbrojtjes ajrore që kryeqyteti ukrainas dëshiron dëshpërimisht të mbrojë civilët dhe ushtrinë e tij.
Deri më tani, NATO ka hezituar të furnizojë Ukrainën me pajisje ose armatime të tilla që mund të godasin thellë në territorin rus, duke mos dashur të nxisin një konflikt më të gjerë.
“Për një afat më të gjatë, ne do të ndihmojmë Ukrainën të kalojë nga pajisjet e epokës sovjetike në standardet, doktrinat dhe trajnimet moderne të NATO-s”, ka thënë Stoltenberg javën e kaluar.
Kjo do të ndihmojë forcat e armatosura të Ukrainës të përmbushin kriteret e NATO-s për anëtarësim dhe të integrohen më mirë në aleancë, nëse ajo pranohet. Shanset që Ukraina të anëtarësohet në NATO janë të pakta në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, gjatë kohës kur vendi është i pushtuar, raporton euronews.
Premtimet se Ukraina mund të anëtarësohej në NATO 14 vjet më parë ishin të diskutueshme, me Putinin që e përshkroi në atë kohë si një “kërcënim të drejtpërdrejtë” për sigurinë e vendit të tij.
Në një konferencë për shtyp të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar rëndësinë e investimit në mbrojtje “ndërsa përballemi me krizën tonë më të madhe të sigurisë në një brez”.
“Ne nuk mund ta lëmë Putinin të fitojë,” tha ai pas takimit me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis.
“Kjo do t’u tregonte liderëve autoritarë në mbarë botën se ata mund të arrijnë qëllimet e tyre, duke përdorur forcën ushtarake – dhe ta bëjnë botën një vend më të rrezikshëm për të gjithë ne. Është në interesat tona të sigurisë të mbështesim Ukrainën”, ka thënë tutje Stoltenberg.




