Të mërkurën mësohet data e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës
Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet të mërkurën e 16 nëntorit, kur do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kështu ka bërë të ditur korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, e cila ka marrë pjesë në bisedën e hapur të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur […]





Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet të mërkurën e 16 nëntorit, kur do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kështu ka bërë të ditur korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, e cila ka marrë pjesë në bisedën e hapur të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur në Prishtinë, me temën “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.
Tuhina ka deklaruar se nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023, kosovarët të lëvizin pa viza, raporton RTKlive.
Korrespondentja e RTK-së në Bruksel ka thënë se përafrim të qëndrimeve ka treguar edhe një grup tjetër i shteteve që kanë insistuar që kosovarët, pavarësisht sistemit ETIAS, ta kenë edhe datën e qartë se kur është momenti i fundit që të nisë liberalizimi i vizave.
“U gjet një formulim i kompromisit në mes të dy grupeve të shteteve”, potencoi Tuhina, sipas së cilës, të mërkurën do të kuptohet përfundimisht nëse data e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë 1 nëntori apo 1 dhjetori 2023.
Tuhina ka shtuar se janë edhe dy ditë deri të mërkurën në orën 14:00, për t’u miratuar data e heqjes së vizave.
“Nëse asnjë nga shtetet anëtare nuk del me vërejtje, atëherë pas këtij afati nisin procedurat formale dhe nuk ka më kthim mbrapa”.
Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave rreth pesë vjet më parë, dhe janë dy rekomandime deri më tash nga Komisioni Evropian. Megjithatë, deri më tash kosovarët mbesin të vetmit që për të hyrë në zonën Schengen duhet të kenë vizë.




















