Të pagjeturit – plagët mbesin ende të hapura për familjarët

Plagët e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 mbesin ende të hapura edhe pas kaq shumë vjetësh. Institucionet e Kosovës thonë se për të siguruar informatat që do të kontribuonin në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë e, po ashtu, edhe informatat për varrezat e tjera të mundshme masive, është e nevojshme qasja në arkivat e Serbisë

Foto, RTV Dukagjini: Blerim Lipa

Po bëhen 24 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende nuk është vënë drejtësia nga institucionet përgjegjëse për personat e vrarë e të zhdukur nga regjimi serb.

Edhe në vitin që lamë pas, plagët e familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre kanë vazhduar të jenë të njëjta, ata vazhdojnë pa rreshtur duke kërkuar drejtësi.

Zvarritjen e mosdinamizimin e punës për hartimin e Ligjit të ri për Personat e Zhdukur nga institucionet e Kosovës gjatë vitit që lamë pas e ka kritikuar edhe Bajram Qerkinaj nga Shoqata “Zëri i Prindërve”.

Sipas tij, institucionet u kanë premtuar se me këtë ligj do t’u njihet e drejta për të marrë dy pensione, atë të pleqërisë dhe kompensimin e të qenit familjar i personave të zhdukur.

Drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini

Ndërkaq, në një konferencë për media, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kishte prezantuar Raportin Përmbledhës të Punës gjatë vitit 2022, në të cilin u shpalos angazhimi i këtij komisioni në procesin e gjetjes së vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Hoti në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë se janë gërmuar 24 lokacione, ku vetëm gjashtë prej tyre kanë përfunduar, ndërkohë që në proces janë edhe tri lokacione të tjera.

“Komisioni nuk është i vetmi institucion i Kosovës që merret me fazën e personave të zhdukur, por ka bashkëpunim regjional me mjekësinë ligjore, policinë dhe institucionet e tjera relevante”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti

Gjithashtu, Hoti ka thënë se janë edhe 71 mostra të cilat i kanë dërguar në Hagë dhe që po i presin rezultatet.

“Kemi edhe 71 mostra të tjera që i kemi dërguar në Hagë, janë në fazën e testimeve dhe besoj që brenda janarit të kemi rezultatin për to. Nga 24 lokacione që ne i kemi gërmuar, 11 prej lokacioneve kemi hasur në gjetje të mbetjeve mortore të njerëzve. Pa i përfshirë mostrat që i kemi dërguar në Hagë janë 22 dorëzime. Mostrat që i kemi dërguar në Hagë dhe që i presim rezultatet e ADN-së i marrim në janar dhe ato janë të vitit 2022, por nuk janë përfshirë pasi nuk i kemi rezultatet për to”, ka thënë Hoti.

Qasja në arkivat e Serbisë, çelësi i këtij procesi

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë se për të siguruar informatat që do të kontribuonin në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë e, po ashtu, edhe te informatat për varrezat e tjera të mundshme masive, është më se e nevojshme qasja në arkivat e Serbisë, përkatësisht, arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës serbë që kryen krime të përmasave gjenocidiale gjatë luftës në Kosovë dhe luftërat e tjera në territorin e ish-Jugosllavisë.

“Zgjidhja do të ishte pikërisht në arkivat e institucioneve të Serbisë, duke pasur parasysh edhe mënyrën se si kanë vepruar institucionet e Serbisë gjatë kohës së luftës, në kuptimin e një zinxhiri të qartë të hierarkisë komanduese”, ka thënë Gara.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Gara ka thënë se gjatë vitit 2022, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me angazhimin dhe në koordinim edhe me mekanizmat e tjerë kompetentë institucionalë si, Sektori i Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera, kanë adresuar në kuptim të gërmimeve vlerësuese – 24 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore (eshtrat) e minimum 17 individëve.

Ai ka theksuar se numri i viktimave të zhvarrosura dhe identiteti i tyre do të përcaktohet pasi t’i pranojnë raportet e ADN-së, meqë mostrat e eshtrave të zhvarrosura, por edhe një sërë mostrash të mbetjeve mortore të paidentifikuara që vazhdojnë të jenë në Morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë dërguar për analizë të ADN-së.

Gara ka bërë të ditur se në territorin e Serbisë gjatë muajit maj janë kryer gërmime në lokacionin e minierës në Shtaval, megjithatë përkundër gërmimeve të realizuara “ky rast apo ky lokacion mbetet i papërfunduar, ashtu siç janë edhe shumë lokacione të tjera tanimë të shënjuara brenda territorit të Serbisë”.

“Pra, siç e kemi theksuar në vazhdimësi, sfidë dhe shqetësuese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë dhe në përgjithësi qasja politizuese e Serbisë karshi këtij procesi ose kësaj teme, që, për ne, pra, për institucionet e Republikës së Kosovës, vazhdon të jetë çështje me prioritet të veçantë dhe një nga temat më të ndjeshme si pasojë e luftës me të cilën përballet vendi ynë”.

Drejtësia në Kosovë

Sa i përket dënimit të personave për krimet e luftës në Kosovë, që nga viti 1999 deri më sot janë dënuar, gjithsej, 67 persona, nga të gjitha institucionet gjyqësore në Kosovë, Serbi, Hagë dhe Mal të Zi.

Aktualisht, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës janë vetëm katër prokurorë, të cilët janë duke punuar në trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy përkthyes, të cilët do të merren ekskluzivisht vetëm me krimet e luftës.

Ndërsa, Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar për Portalin Dukagjini se është në fazën e fundit të hartimit të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, mekanizëm i cili do të jetë adresë e dokumentimit dhe arkivimit të këtyre krimeve.

Familjet dhe shoqëria kosovare deri atëherë mbesin me shpresë që fati i mbi 1 mijë e 600 personave të pagjetur të zbardhet, e për të vrarët të vendoset drejtësi.

Dialogu Kosovë-Serbi, çështja e të pagjeturve

Nga viti 2011, kur Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve është kërkuar që të arrihet një marrëveshje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Në të dyja vendet, prej asaj kohe, janë ndërruar disa qeveri, por një marrëveshje e tillë nuk është nënshkruar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë më herët se vendi i tij është i gatshëm për marrëveshje, por diçka konkrete nuk ka.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se në takimin e 18 gushtit në Bruksel, kishte një dakordim për tekstin e marrëveshjes për të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, për të cilin mungojnë vetëm nënshkrimet dhe se Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

“Jemi dakorduar për tekstin për marrëveshjen për të pagjeturit, për të zhdukurit me dhunë, jemi dakorduar, dy faqe është teksti, mungojnë vetëm nënshkrimet, imi jo, Serbia refuzoi. Në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar. Dhe asnjë dënim, asnjë gjykim, asnjë kritikë ndaj Beogradit”, kishte thënë ai.

Ndërkaq në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se Serbisë duhet t’i bëhet presion ndërkombëtar, me qëllim që të arrihet marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente Osmani i kishte bërë gjatë homazhe para obeliskut në Prishtinë dedikuar personave të pagjetur, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

“Siç e dini, në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve me dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi, përfundimisht Serbia të japë të gjitha të dhënat që do të na çonin deri te zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë”, kishte thënë Osmani.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës më 2020. Në këtë varr masiv u gjetën mbetje mortore të shqiptarëve nga Kosova, të vrarë gjatë luftës. FOTO:REL

Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.

Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë – lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika