Të paktën 18 persona humbën jetën pasi një varkë gome që transportonte migrantë u fundos në brigjet e provincës perëndimore të Turqisë, Mugla, të mërkurën, njoftoi roja bregdetare, duke shtuar se operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonë.

Roja bregdetare tha se varka, e pajisur me motor të jashtëm, u zbulua rreth orës 03:00 të mëngjesit në brigjet e distriktit Bodrum të Muglës dhe se kishte tentuar të largohej pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura për të ndaluar, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Më pas, varka u fundos në ujë për shkak të motit të keq dhe kushteve të vështira në det.

Një helikopter i rojës bregdetare dhe tre anije u dërguan në zonë për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa deri tani janë shpëtuar 21 persona.

Në deklaratë nuk u bë e ditur se nga ishte nisur varka apo destinacioni i saj.

Deti Egje është një rrugë e shpeshtë kalimi për mijëra migrantë që përpiqen të hyjnë në Evropë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, veçanërisht nga Turqia, e cila strehon miliona refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.