Të paktën 27 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një lokal nate në Bangkok të Tajlandës, ka bërë të ditur kryeministri tajlandez.
Zjarrfikësit janë thirrur në vendngjarje pak pas mesnatës dhe, me të arritur atje, kanë parë klientët duke tentuar të dalin nga hyrja kryesore e lokalit, e cila ishte përfshirë nga flakët.
Pamje të pakonfirmuara nga vendi i ngjarjes tregojnë flakë të mëdha që dalin nga ndërtesa, ndërsa një grua shihet duke rënë në tokë përpara se të ngrihet dhe të largohet nga zona e rrezikut.
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, deklaroi për mediat se 27 persona kanë vdekur, ndërsa disa të tjerë janë dërguar në spital. Ai theksoi se shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe hetimet janë duke vazhduar.
Lokali, i identifikuar nga mediat lokale si Rong Beer Na Lat Phrao, ndodhet në distriktin Chatuchak dhe njihej si një nga lokalet e njohura të argëtimit dhe restorantet në atë zonë.
Zjarrfikësit arritën ta vënë zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Fotografitë e publikuara pas shuarjes së flakëve tregojnë se brendësia e lokalit është shkatërruar plotësisht, me mure të nxira dhe tavanin e dëmtuar rëndë.
Sipas mediave tajlandeze, disa persona ende rezultojnë të zhdukur pas tragjedisë. Ekipet e emergjencës nga Stacioni i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit Sutthisan kanë mbërritur në vendngjarje në orën 00:02 sipas kohës lokale.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara, një shofer që po kalonte pranë lokalit ka parë se zjarri kishte nisur rreth orës 23:30 sipas kohës lokale. Ai ka deklaruar për mediat se ka ndaluar makinën dhe ka thyer dritaret e lokalit për të ndihmuar dy persona të dilnin jashtë.
Dyshohet se disa prej viktimave mund të kenë mbetur të bllokuar brenda lokalit pasi ndërprerja e energjisë elektrike e ka vështirësuar evakuimin. Autoritetet tajlandeze po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.