Të paktën 30 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës
Të paktën 30 palestinezë janë vrarë të premten nga sulmet e forcave izraelite në Rripin e Gazës, përfshirë 10 prej tyre që po prisnin për ndihmat ushqimore në jug të territorit të shkatërruar nga lufta, ka njoftuar agjencia e mbrojtjes civile të Gazës. Zyrtari i mbrojtjes civile në Gazë, Mohammed al-Mughayyir, ka deklaruar se 10 […]
Të paktën 30 palestinezë janë vrarë të premten nga sulmet e forcave izraelite në Rripin e Gazës, përfshirë 10 prej tyre që po prisnin për ndihmat ushqimore në jug të territorit të shkatërruar nga lufta, ka njoftuar agjencia e mbrojtjes civile të Gazës.
Zyrtari i mbrojtjes civile në Gazë, Mohammed al-Mughayyir, ka deklaruar se 10 persona u qëlluan nga forcat izraelite të premten teksa po i prisnin ndihmat në zonën Al-Shakoush, në veriperëndim të Rafahut, vend në të cilin ka pasur shpesh raportime për të shtëna vdekjeprurëse ndaj civilëve që kërkojnë ndihma, ka shkruar The Guardian.
Këto raportime kanë ndodhur pak kohë pasi Kombet e Bashkuara (OKB) kishin konstatuar se rreth 800 njerëz janë vrarë që nga fundi i muajit maj, qëkur Izraeli filloi të lehtësojë bllokadën më shumë se dymujore për dërgimin e ndihmave në enklavën palestineze.
Zëdhënësja e Zyrës për të Drejtat e Njeriut në OKB, Ravina Shamdasani, kishte bërë të ditur se shumica e viktimave janë vrarë pranë zonave të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (FHG), organizatë private e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.
“Deri më tani kemi regjistruar 798 viktima, përfshirë 615 pranë pikave të FHG-së, që nga fillimi i operacioneve të tyre në fund të majit deri më 7 korrik”, kishte thënë Shamdasani.
FHG-ja është nismë private, porse aktivitetet e saj janë përballur me kaos dhe akuza të shumta për përdorim force nga ushtria izraelite ndaj civilëve që presin për ndihma.
Agjencitë e OKB-së dhe organizatat kryesore humanitare kanë refuzuar të bashkëpunojnë me FHG-në, duke ngritur shqetësime se mekanizmi shërben për qëllimet ushtarake të Izraelit si dhe shkel parimet bazike humanitare.
Si kundërpërgjigje ndaj shifrave të publikuara nga OKB-ja, në Ushtrinë izraelite kanë njoftuar se është bërë çmos për të minimizuar përplasjet mes popullatës civile dhe forcave ushtarake.















