Të paktën 30 banorë janë vrarë dhe disa të tjerë janë rrëmbyer pasi persona të armatosur sulmuan një fshat në shtetin Niger, në veri të Nigerisë, bënë të ditur autoritetet policore të dielën.

Ky është episodi më i fundit në një cikël dhune vdekjeprurëse që po godet rajonin prej kohësh, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Sipas policisë, sulmuesit e armatosur sulmuan fshatin Kasuwan-Daji, në zonën administrative Borgu të shtetit Niger, të shtunën në mbrëmje, duke hapur zjarr ndaj banorëve.

Ata gjithashtu dogjën tregun lokal dhe disa shtëpi, tha në një deklaratë zëdhënësi i policisë së shtetit Niger, Wasiu Abiodun.

Të paktën dy banorë thanë se numri i viktimave ka arritur në 37 të vdekur dhe se mund të jetë edhe më i lartë, pasi disa persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur deri të dielën.

Banorët pohuan gjithashtu se forcat e sigurisë ende nuk kanë mbërritur në zonë, duke hedhur poshtë pretendimin e policisë se janë dërguar efektivë për kërkimin e personave të rrëmbyer.

Atë Stephen Kabirat, zëdhënës i Dioqezës Katolike të Kontagorës, ku ndodhi sulmi, i tha mediave lokale se më shumë se 40 persona janë vrarë, ndërsa mes të rrëmbyerve ka pasur edhe fëmijë.

Sipas një banori që kërkoi të mbetej anonim për arsye sigurie, personat e armatosur ishin parë duke lëvizur në komunitetet përreth prej rreth një jave para sulmit.

Raportohet se të mbijetuarit janë tepër të frikësuar për të shkuar dhe për të marrë trupat e viktimave.