Të paktën 32 të vdekur pasi një autobus ra në një humnerë në Pakistan

Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë lënduar, pasi një autobus pasagjerësh i mbingarkuar ra në një humnerë në jugperëndim të Pakistanit.

Autobusi po udhëtonte nga Quetta drejt Peshawarit, kur u aksidentua në vargmalin Dana Sar, në kufirin mes provincave Balochistan dhe Khyber Pakhtunkhwa, rreth orës 08:00 sipas kohës lokale të premten, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Një zyrtar i spitalit në Zhob tha për BBC News se në autobus ndodheshin gjithsej 48 persona, përfshirë gra dhe fëmijë.

Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim, por raportet paraprake sugjerojnë se një defekt në sistemin e drejtimit mund të ketë bërë që shoferi të humbte kontrollin mbi mjetin, i cili më pas rrëshqiti dhe ra nga rruga malore.

Fotografitë nga vendngjarja tregojnë autobusin tërësisht të shkatërruar në fund të humnerës.

Autoritetet konfirmuan se të plagosurit u transportuan në Spitalin Rajonal të Zhobit, rreth 68 kilometra larg vendit të aksidentit.

“K autobusi ra rreth 70 deri në 80 këmbë (21–24 metra) në humnerë,” tha për agjencinë AFP Sanaullah Sherani, drejtues i shërbimit të emergjencës në distriktin Zhob.

Dhjetëra ekipe të shpëtimit dhe autoambulanca u dërguan në vendngjarje, por operacionet e kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjes së viktimave u vështirësuan nga terreni i thyer malor.

Trupat e viktimave u dërguan në spital dhe, pas identifikimit, do të transportohen me autoambulanca në qytetet e tyre të origjinës.

Shahid Rind, zëdhënës i kryeministrit të provincës Balochistan, tha se informacionet e para tregojnë se autobusi ishte mbingarkuar pasi kishte marrë pasagjerë shtesë nga një autobus tjetër që ishte prishur gjatë rrugës.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, dhe kryeministri Shehbaz Sharif shprehën ngushëllimet e tyre për viktimat.

Në një postim në platformën X, kryeministri i Balochistanit, Sarfraz Bugti, tha se ishte “thellësisht i pikëlluar” nga aksidenti dhe urdhëroi nisjen e një hetimi për zbardhjen e rrethanave.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe lutem për shërim sa më të shpejtë të të plagosurve”, tha ai, duke shtuar se të lënduarve po u ofrohet menjëherë ndihma mjekësore.

Aksidentet me pasoja fatale janë të shpeshta në rrugët e Pakistanit, shpesh si pasojë e drejtimit të pakujdesshëm, infrastrukturës së dobët rrugore dhe automjeteve të mirëmbajtura keq.

Në vitin 2024, të paktën 17 pelegrinë humbën jetën dhe 40 të tjerë u plagosën pasi autobusi me të cilin udhëtonin ra në një humnerë gjatë rrugës për në Balochistan, ku po shkonin për festimet e Fitër Bajramit.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika