Të paktën 37 të vrarë pas sulmit rus me dron pranë Kievit

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën pasi një sulm rus me dron goditi një depo në zonën e Kievit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas të shtunën.

Sulmet ajrore të Moskës ndaj kryeqytetit ukrainas dhe rajonit përreth kanë vazhduar për të tretën ditë radhazi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka premtuar se personat përgjegjës për shpërthimin në depo, i cili ndodhi vonë të premten, do të mbajnë përgjegjësi, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Shpërthimi ka shkaktuar një nga bilancet më të larta të viktimave në muajt e fundit dhe duket se është rasti i dytë i ngjashëm brenda dy muajve.

Dhjetëra persona të tjerë janë lënduar, ndërsa më shumë se 370 banorë janë evakuuar nga zona e goditur në fshatin Myla, ka bërë të ditur Zelensky.

Sipas tij, infrastruktura përreth ka pësuar “dëme të konsiderueshme”, përfshirë ndërtesa banimi dhe një institucion që ofron kujdes për të moshuarit.

“Ata që lejuan të ndodhte kjo duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre”, ka shkruar Zelensky në X.

“Ekzistojnë rregulla – municionet nuk mund të ruhen pranë shtëpive apo zonave të tjera të banuara. Sigurisht që do të nxirren përfundimet e duhura”, ka shtuar ai.

Rusia ndërkohë ka intensifikuar luftën ajrore ndaj Ukrainës, duke përdorur më shumë raketa balistike dhe dronë me motor reaktiv, të cilët konsiderohen më të vështirë për t’u rrëzuar.

Zelensky ka bërë të ditur se edhe nëntë rajone të tjera janë shënjestruar gjatë sulmeve të natës, ndërsa ka thënë se Kievi ka qenë nën një “sulm pothuajse të pandërprerë” nga dronët me shpejtësi të lartë.

Të shtunën, sirenat e alarmit ajror kanë rënë gjatë gjithë mëngjesit për të tretën ditë radhazi, ndërsa Forca Ajrore e Ukrainës ka paralajmëruar për valë të reja dronësh që po i afroheshin kryeqytetit.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Tymur Tkachenko, ka njoftuar se një vajzë 14-vjeçare është vrarë gjatë një sulmi me dron në distriktin Boryspil.

Ndërkaq, në Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko ka bërë të ditur se një vajzë 2-vjeçare ka humbur jetën pasi një dron i rrëzuar ka rënë në qytet.

Sulmet në Kiev dhe zonat përreth gjatë së enjtes dhe së premtes kanë dëmtuar depo dhe shtëpi, në atë që disa zyrtarë ukrainas e kanë cilësuar si një fushatë që synon “paralizimin” e qytetit me disa milionë banorë.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika