Forcat izraelite kanë sulmuar Xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të okupuar teksa hodhën shokgranata dhe gaz lotsjellës ndaj besimtarëve palestinezë në një bastisje të dhunshme në vendin e tretë më të shenjtë të Islamit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa tha se dhjetëra besimtarë që po kalonin natën duke u lutur u plagosën në bastisjen e policisë në agim të së mërkurës.

Të paktën 400 palestinezë u arrestuan të mërkurën, të cilët mbeten në paraburgimin izraelit, sipas zyrtarëve palestinezë.

Bastisja izraelite vjen ndërsa myslimanët shënojnë muajin e shenjtë të Ramazanit dhe hebrenjtë përgatiten të fillojnë festën e Pashkës të mërkurën në mbrëmje, duke rritur frikën për një aksion tjetër më të gjerë ndaj tyre. Një bastisje e ngjashme dy vjet më parë kishte shkaktuar një konflikt më të gjerë, me izraelitët që nisën një sulm 11-ditor në Rripin e Gazës.

Bastisja izraelite në kompleksin e Al-Aksa

Kompleksi prej 35 hektarësh i xhamisë përmendet si al-Haram al-Sharif, ose shenjtërorja fisnike, nga myslimanët dhe si Mali i Tempullit nga hebrenjtë. Vendi ka qenë pjesa më e kontestuar e territorit në Tokën e Shenjtë qëkur Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, duke përfshirë Qytetin e Vjetër, në vitin 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Policia izraelite tha se ata hynë pasi “disa të rinj shkelës të ligjit dhe persona të maskuar” sollën fishekzjarrë, shkopinj dhe gurë dhe u barrikaduan në xhami, transmeton ALJAZEERA.

Policia tha se shpërndau grupe të rinjsh me shokbomba dhe plumba gome brenda kompleksit të xhamisë. Një oficer u plagos në këmbë, ndërsa rreth 350 persona u arrestuan, thanë ata.

Tensionet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme qëkur qeveria e re e ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mori detyrën në fund të vitit të kaluar.

Forca e policisë mbikëqyret nga Itamar Ben-Gvir, një ultranacionalist me një histori të veprimeve të dhunshme kundër palestinezëve.

Udhëheqja palestineze dënoi sulmin ndaj besimtarëve. Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmud Abbas, Nabil Abu Rudeineh, paralajmëroi Izraelin se një veprim i tillë “tejkalon të gjitha vijat e kuqe dhe do të çojë në një shpërthim të madh”.

Policia Kufitare izraelite pranë portës së Damaskut në qytetin e vjetër të Jeruzalemit, gjatë një bastisjeje nga politika në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa. [Mahmoud Illean/Foto AP]
Qeveria e Jordanisë, e cila shërben si kujdestare e xhamisë, dënoi sulmin izraelit “me termat më të fortë”. Ministria e Jashtme paralajmëroi “për pasojat e këtij përshkallëzimi të rrezikshëm dhe e bëri Izraelin përgjegjës për sigurinë e xhamisë së bekuar Al-Aksa”.

Dhuna izraelito-palestineze është rritur gjatë vitit të kaluar, pasi ushtria izraelite ka kryer bastisje pothuajse ditore në qytete, qyteza dhe fshatra palestineze për të shuar rezistencën palestineze kundër pushtimit izraelit.

Më shumë se 90 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit këtë vit. Sulmet palestineze kundër izraelitëve kanë vrarë 15 persona në të njëjtën periudhë.