5 ditë pas raportimin për vdekjen e të riut kosovar nga Peja në një burg të Serbisë, kanë reaguar institucionet në Kosovë.

Artan Zymberaj, sipas raportimeve vdiq në fillim të dhjetorit në një burg serb, ku po mbahej pasi ishte ndaluar, duke udhëtuar nga Norvegjia në Kosovë. Pas vdekjes, së tij familja ngriti dyshimet se i riu me nënshtetësi norvegjeze, u vra në burg për shkak të tatuazheve me simbole patriotike, që kishte në trup.

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, kanë thënë se janë ende duke pritur informacione për rastin.

“Me të marrë njoftimin për rastin e Artan Zymberajt, të premten në mëngjes, më 2 dhjetor 2022, Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd ka kontaktuar me autoritetet serbe, respektivisht me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për ta konfirmuar rastin. Nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë na është komunikuar se janë duke u përpjekur të marrin të dhënat e nevojshme nga autoritetet tjera serbe, por deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë me të cilën e konfirmojnë rastin. Po ashtu, mediat serbe nuk kanë raportuar për vdekjen e z. Artan Zymberaj. Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd dhe ambasada e  Republikës së Kosovës në Norvegji janë në kontakt dhe në dispozicion të familjes Zymberaj”, kanë thënë nga MPJ.

Situatën është duke e monitoruar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, megjithëse për shëndetin dhe kushtet në burg thonë se përgjegjëse janë autoritet lokale.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë ka dijeni për vdekjen e një shtetasi norvegjez në Serbi. Shërbimi i Jashtëm Norvegjez njoftoi të afërmit dhe ofroi ndihmë konsullore për familjen. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me rrethanat e vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, kanë thënë se Ministria e Punëve të Jashtme në Norvegji.

Por, Ministria e Drejtësisë së Serbisë ka dhënë një version për ngjarjen.

Sipas një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thuhet se Artan Zymberaj kishte refuzuar të trajtohej për një sëmundje që kishte, duke shtuar se ishte shtruar në spital disa herë por shpesh refuzonte edhe ushqimin edhe terapinë.

Ai po vuante një dënim prej tre vjetësh e tetë muajsh burgim për shkak të posedimit të narkotikëve.

RTV Dukagjini ka provuar të kontaktojë edhe me familjen e të ndjerit por ata nuk janë përgjigjur.