Të rrezikuar nga pjesët e murit, Shoqata e të Verbërve kërkon ndihmë
Këto dërrasa janë dera e improvizuar që paralajmëron anëtarët e shoqatës së të verbërve në Prishtinë se është rrezik të kalojnë. Kjo ndërtesë që për Shoqatën shërben si një depo për donacione e arkiv, është në prag të shembjes. Pjesë të murit veçse kanë filluar të bien e që të verbrit e kësaj shoqate të […]
Këto dërrasa janë dera e improvizuar që paralajmëron anëtarët e shoqatës së të verbërve në Prishtinë se është rrezik të kalojnë.
Kjo ndërtesë që për Shoqatën shërben si një depo për donacione e arkiv, është në prag të shembjes.
Pjesë të murit veçse kanë filluar të bien e që të verbrit e kësaj shoqate të mos e përdorin, është e pashmangshme.
”Kemi qenë të rrezikuar tash së fundi kur kemi filluar të shpërndajmë ndihmat. Duke i shpërnda, anëtarit tonë iu desh të hynte brenda dhe balta, copë nga tavani i ra. Herë më bjen mua. Jemi të rrezikuar por për atë arsye, e kam parë emergjente të kërkojë ndihmë”, ka thënë Behxhet Gashi, Drejtues i Shoqatës së të Verbërve në Prishtinë.
Në përpjekje për të shmangur ndonjë fatkeqësi, Gashi ka filluar të interesohet edhe vet për aranzhimin e një kompanie.
”Së paku 10 herë brenda ditës na Bie të hyjmë e të dalim. Është e nevojshme të largohet. Kam biseduar para dy ditësh me një kompani private. Ia dërgova foton. Rrënimi dhe pastrimi kushton 1000 euro, por kur e kuptoi që jemi shoqatë e të verbërve dhe s’kemi mundësi financiare, pranoi të na zbresë 500 euro. Po mbes me shpresë që dikush lajmërohet e na ndihmon”, ka thënë Behxhet Gashi, Drejtues i Shoqatës së të Verbërve në Prishtinë.
Në gjendje të njëjtë ka qenë edhe zyra qendrore e Shoqatës, ngjitur me depon. Megjithatë, Drejtoria për Mirëqenie Sociale në komunë të Prishtinës e kishte marrë përsipër vitin e kaluar rindërtimin e saj, një kosto prej 20 mijë eurosh.
Për këtë depo, Gashi thotë se shoqata do ta marrë vet përsipër për t’i bërë zgjidhje bashkë me vullnetmirët që duan të ndihmojnë.
E këtyre të fundit, ua përcjell një lutje.
”Halli ynë më i madh është kjo depo. Është e ndërtuar diku në 1960tën. E patë si është gjendja, rreziku na kanoset në çdo moment. R kam bërë një lutje në Facebook nga faqja jonë, për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë në rrënimin e kësaj depoje, do ishte ndihmë e mrekullueshme, ta ndakojmë njëherë e mirë rrezikun për çdo anëtar”, ka thënë Behxhet Gashi, drejtues i Shoqatës së të Verbërve në Prishtinë.
Shoqata ka mbi 600 anëtarë të regjistruar, mbi 400 prej tyre aktiv.















