Të shtëna armësh janë dëgjuar të dielën e 15 majit në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i policisë për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për Portali D se të shtënat janë dëgjuar në rrethinën e komunës së Zveçanit.

Sipas tij, nuk është raportuar për ndonjë incident.

“Nuk ka incidente të raportuara. Mund të ndodhë që ka pasur ndonjë aheng në ndonjë lokacion të rrethinës së komunës së Zveçanit, mirëpo njësitet ende nuk kanë lokalizuar. Sidoqoftë njësitet policore janë në terren për më tepër informata rreth raportimit”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, javëve të fundit Policia e Kosovës është përballur me sulme të ndryshme në pjesën veriore të vendit, respektivisht në zonën kufitare me Serbinë.

Vetura e Policisë së Kosovës e sulmuar nga armë zjarri

Sulmet u bënë në mënyra e me mjete të ndryshme, duke nisur nga gjuajtja me gurë në drejtim të automjeteve policore, vendosja e “iriqëve metalikë” në rrugë për t’i dëmtuar gomat e veturave të policisë, e deri te sulmet me kallashnikovë e granata dore.

Katër sulmet e para ndodhën mes datave 12 dhe 15 prill të këtij viti. Këto sulme në fillim nuk ishin bërë publike as nga ana e Policisë së Kosovës e as nga Ministria e Punëve të Brendshme. Më datën 15 prill, këto dy institucione, Policia dhe MPB-ja, dolën në një konferencë për media, ku dhanë detaje për sulmet me të cilat po përballeshin pjesëtarët e policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, në konferencën e thirrur për media, në të cilën pjesëmarrës ishte edhe Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, sulmet me armë zjarri në drejtim të njësive patrulluese kufitare i cilësoi si sulme terroriste.

Ai kishte deklaruar se këto sulme për shënjestër kishin zyrtarët policorë, dhe, sipas tij, kishin qëllim lëndimin e tyre.

Sipas Sveçlës, sulmet kishin të bënin me aksionet e Policisë së Kosovës, në kuadër të parandalimit të kontrabandës.

Ndërkaq, drejtori i policisë, Samedin Mehmeti, katër sulmet e para i kishte cilësuar si sulme të orkestruara e që lidheshin me njëri-tjetrin.

Sulme të njëpasnjëshme ndaj policisë së Kosovës, asnjë i arrestuar