Presidentja e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Weijia Jiang, ka reaguar pas incidentit me të shtëna gjatë darkës vjetore, duke theksuar se liritë në SHBA mbeten të brishta.
Jiang, e cila ishte e ulur pranë Presidentit Donald Trump në momentin e ngjarjes, tha për CBS News se përjetoi frikë të madhe pasi në sallë ndodheshin edhe familjarët e saj, përfshirë vajzën shtatëvjeçare, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Në atë moment mendova për vajzën time, bashkëshortin dhe prindërit e mi që ishin aty,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi se ironia e situatës qëndron në faktin se ngjarja ndodhi pikërisht në një mbrëmje kushtuar festimit të lirive dhe Amendamentit të Parë.
“Në një natë kur të gjithë u mblodhëm për të festuar liritë dhe Amendamentin e Parë, duhet të mendojmë edhe se sa të brishta janë ato në këtë vend, sepse… të shtëna dhe tentativa për të shtëna ndodhin çdo ditë”, tha ajo.
Sipas saj, askush nuk duhet të ndihet i pasigurt në vende publike, pavarësisht rëndësisë apo nivelit të sigurisë së eventit.
“Dhe nuk ka rëndësi nëse është Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë apo kudo tjetër në këtë vend. Askush nuk duhet të ndihet kështu. Askush nuk duhet të ndihet i frikësuar për të qenë në një vend publik,” shton ajo.