Partia Socialdemokrate (PSD) do të mbajë protestë kundër Gjykatës Speciale dhe dënimit të kësaj të fundit të shqiptuar kundrejt ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Në një konferencë për medie, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se kjo protestë është e domosdoshme, pasi sipas tij “në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia”. Molliqaj, ndër të tjera, tha se do të kërkojnë edhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kësaj proteste që pritet të fillojë në orën 14:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, do t’i bashkohet edhe OVL-UÇK. Protesta mban moton “JO në emrin tim!”.

Ndryshe, të premten e 16 dhjetorit, ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.

Prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.

Mustafa është i dënuari i parë i Gjykatës Speciale për krime lufte.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Në luftën e fundit në Kosovë, ishin vrarë mijëra persona dhe mijëra gra ishin dhunuar.

Për krejt këto, nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviq për Kosovë, Nikola Shainoviq, ishte dënuar me 22 vjet burgim.

Sipas vendimit, Sainoviq kishte për qëllim të zhvendoste me forcë një pjesë të popullsisë shqiptare të Kosovës, ku në këtë mënyrë të ndryshonte ekuilibrin etnik të Kosovës për të siguruar kontroll të vazhdueshëm mbi të nga Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ) dhe autoritetet serbe.

Atij i ishte ulur dënimi nga 22 në 18 vjet burgim për dhunën gjatë luftës në Kosovë, e cila rezultoi në më shumë se 11,000 njerëz të vrarë dhe më shumë se 700,000 shqiptarë të Kosovës të dëbuar.

Dragoljub Ojdaniq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, mori vetëm 15 vjet dënim, për dhjetëra vepra, për të cilat, akuzohej në kuadër të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Kolegu i tij, Komandanti i forcave të ushtrisë së Jugosllavisë në Prishtinë, Vladimir Lazareviç, u dënua edhe vetem me 14 vjet burgim.

Përgjegjësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të shkaktuara nga policia e Serbisë në Kosovë, Sreten Lukiq, nuk kishte marrë më shumë se 20 vjet dënim nga Tribunali Ndërkombëtar.

Lukiç, në kohën e luftës, ishte Shef i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-it) për Kosovë.

Kurse sot, për krime lufte u dënua edhe Salih Mustafa me 26 vjet burgim, pra më shumë sesa njeriu i afërt i Millosheviqit.