Telekomi i Kosovës ka fituar kontestin gjyqësor me vlerë prej 10 milionësh në Tribunalin e Arbitrazhit

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka fituar të martën, kontestin gjyqësor në Tribunalin e Arbitrazhit, në të cilin një kompani nga fusha e IPTV i ka kërkuar një vlerë prej 10 milionë eurosh. Kështu pas një beteje ligjore katërvjeçare Tribunali i Arbitrazhit, ka refuzuar kërkesat e palës paditëse ndërsa veprimet e Telekomit të Kosovës i ka konfirmuar si të ligjshme

Ilustrim





Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka fituar kontestin gjyqësor në Tribunalin e Arbitrazhit, në të cilin një kompani nga fusha e IPTV i kërkonte një vlerë prej 10 milionë eurosh, kësisoj Tribunali e ka bërë të ditur të martën e një nentorit vendimin përfundimtar, që veprimet e Telekomit të Kosovës i kanë konfirmuar si të ligjshme.

Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Telekomi ka bërë të ditur se pas një beteje ligjore katërvjeçare, të martën ka pranuar vendimin përfundimtar nga Tribunali i Arbitrazhit, përmes të cilit janë refuzuar në tërësi kërkesat e palës paditëse.

Rasti ka filluar në Arbitrazh më 19 shtator të vitit 2018, kur paditësi ka ngritur padi ndaj Telekomit në Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës. Kësisoj pas vërtetimit të fakteve dhe argumentimit ligjor, Tribunali ka vendosur të refuzojë padinë që është ngritur kundër Telekomit, bëhet e ditur në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Telekomi nuk e ka bërë të ditur emrin e kompanisë, por bëhet fjalë për kompaninë me prejardhje amerikane “Intercom Ventures Kosovo”, e cila kërkonte 10 milionë euro nga Telekomi, me pretendimet se nuk e kishte paguar për shërbimet e kontraktuara.

“Me Vendimin e Arbitrazhit është refuzuar në tërësi padia e Paditësit – një kompanie nga fusha e IPTV, në vlerën prej mbi 10 Milionë EUR (dhjetë milionë Euro), derisa janë konfirmuar në tërësi veprimet e ligjshme të Telekomit të Kosovës. Në një situatë të tillë, Telekomi i Kosovës tashmë është në pritje edhe të rikuperimit për shpenzimet financiare, përkatësisht kompensimit të shpenzimeve të përfaqësimit”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

Tutje, përmes këtij njoftimi Telekomi i Kosovës, ka siguruar aksionarin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të kërkojë fuqishëm vendosjen e drejtësisë në raport me gjitha kontratat e dëmshme.

“Telekomi, në cilësi të ndërmarrjes publike, siguron aksionarin dhe qytetarët se do të vazhdojë të kërkojë fuqishëm vendosjen e drejtësisë në raport me të gjitha kontratat e dëmshme.Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk ishte e vetmja. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës, në përpjekje për të kthyer ligjshmërinë në kompani, ka rishikuar të gjitha kontratat e mëdha. Gjate këtij rishikimi, ka hasur në shumë parregullsi. Demet ndaj Telekomit nga modele të ngjashme kontraktuale kapin vlera mbi 150 milionë euro”, theksohet në njoftim.

Njoftimi bën të ditur se Telekomi i Kosovës, ende vazhdon të përballet me gjykata dhe arbitrazhe, si dhe përpjeket të mbrojë pronën publike nga zhvatja përmes kontratave.

“’Fitimi i humbur’ dhe ‘Arbitrazhi ndërkombëtar’ janë emërues i përbashkët i këtyre kontratave korruptive. ‘Fitimi i humbur’ dhe ‘Arbitrazhi ndërkombëtar’ ishin projektuar nga politika dhe biznese të caktuara, si mënyrë e sigurt e kalimit të pasurisë publike në xhirollogari private dhe personale. Sistemi i drejtësisë, deri tani nuk ishte treguar i suksesshëm në parandalimin apo penalizimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

Vlen të theksohet, se Telekomi i Kosovës në njoftimin e tij ka thënë se, do të vazhdojë të luftojë për ligjshmëri dhe mbrojtje të pronës, pasi sipas tyre kjo është pronë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Telekomi i Kosovës nuk do të ndalojë të luftojë për ligjshmëri dhe mbrojtje të pronës së tij, pronë e cila është e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, kanë përfunduar Telekomi në njoftimin e tyre.

 

 

 

 





Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika