Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius, për shkak të masave të nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika Veriore.

““Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut. Konkretisht, një presion i lartë atmosferik i vendosur në pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut ka krijuar kushte për rrjedhën e një mase ajrore subtropikale kontinentale nga shkretëtira e Saharasë drejt gadishullit Ballkanik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë verës dhe shoqërohet me rrezik të shtuar për thatësirë, mungesë reshjesh dhe zjarre në zona pyjore e bujqësore.

IHMK paralajmëron se temperaturat mund të tejkalojnë vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Apel për kujdes nga rrezet e diellit

Indeksi UV pritet të jetë shumë i lartë, ndaj qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin direkt në diell nga ora 09:00 deri në 17:00. Më të rrezikuarit mbeten moshat e shtyra, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Temperaturat minimale gjatë ditës do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16 gradë Celsius.