Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme dhe duke u bërë thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përplasje më të mëdha. 

Qeveria e Kosovës thekson se “Irani ka përshpejtuar pasurimin e uraniumit në atë masë sa që edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) ka deklaruar se Teherani nuk po i përmbush detyrimet për mospërhapjen bërthamore.” Kosova kërkon nga Irani që të ndalojë veprimet hibride që rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe global dhe t’i rikthehet respektimit të detyrimeve ndërkombëtare. 

Kosova rithekson se vetëm rruga diplomatike mund të garantojë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e sigurisë dhe parandalimin e pasojave humanitare dhe gjeopolitike më të thella. 

“Është thelbësore që jeta e civilëve të mbrohet në çdo rrethanë”, thuhet në deklaratë, duke iu bërë thirrje qytetarëve kosovarë që ndodhen në rajon ose kanë kontakte atje që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare nga institucionet përkatëse. 

Në fund, Kosova rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke u solidarizuar me të gjithë qytetarët e prekur nga kriza.