Tensionet mbeten të larta teksa Uashingtoni pret përgjigjen e Iranit ndaj propozimit për paqe

Irani fajësoi Shtetet e Bashkuara për përshkallëzimin e fundit të përleshjeve në Gjirin Persik, teksa Uashingtoni pret një përgjigje nga Teherani lidhur me propozimin më të fundit për t’i dhënë fund luftës mes tyre.

Zyrtarë të lartë amerikanë, nga presidenti Donald Trump deri te sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thanë më 8 maj se përgjigjja e Iranit ndaj një propozimi amerikan për përfundimin e konfliktit – që vjen në kohën kur po vazhdonin përpjekjet e brishta për armëpushim krahas incidenteve të reja ushtarake në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit – pritej brenda pak orësh.

Por, deri më 9 maj, nuk kishte asnjë njoftim nga Teherani për përgjigjen e tij, përveç një deklarate të shkurtër ku vihej në pikëpyetje serioziteti i Uashingtonit në bisedime.

“Përshkallëzimi i fundit i tensioneve nga forcat amerikane në Gjirin Persik dhe veprimet e shumta të tyre në shkelje të armëpushimit kanë shtuar dyshimet për motivimin dhe seriozitetin e palës amerikane në rrugën e diplomacisë”, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, sipas një përmbledhjeje iraniane të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA.

Një ditë më herët, Rubio u tha gazetarëve gjatë një vizite në Romë se administrata Trump priste një përgjigje “diku gjatë ditës së sotme [8 maj]”.

“Shpresoj që të jetë një ofertë serioze, vërtet shpresoj”, shtoi Rubio.

Trump e mbështeti këtë deklaratë në komentet për CNN, duke thënë: “Supozohet se do të dëgjojmë prej tyre sonte”.

Rubio gjithashtu mbrojti fuqishëm veprimet e fundit ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe hodhi poshtë përpjekjet iraniane për të rregulluar lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike detare përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

“Irani tani pretendon se zotëron, se ka të drejtë të kontrollojë, një rrugë ujore ndërkombëtare… Kjo është një gjë e papranueshme që ata po përpiqen ta normalizojnë”, tha Rubio pas raportimeve se Teherani kishte krijuar një agjenci për miratimin e kalimit të anijeve nëpër ngushticë.

“Normalizimi i kontrollit të tyre mbi një rrugë ujore ndërkombëtare është edhe i paligjshëm, edhe thjesht i papranueshëm”, shtoi ai.

Rubio tha se përplasjet e fundit në Gjirin Persik nisën pasi forcat iraniane shënjestruan anije luftarake amerikane.

“Ajo që patë dje ishin destrojerë amerikanë që po lëviznin nëpër ujëra ndërkombëtare dhe ndaj të cilëve u qëllua nga iranianët, ndërsa SHBA-ja reagoi në mënyrë mbrojtëse për ta mbrojtur veten”, tha ai më 8 maj. “Ne nuk qëlluam. Ata qëlluan ndaj nesh”.

Irani, megjithatë, ka deklaruar se përballja nisi pasi anije amerikane sulmuan një cisternë civile iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit.

Araqchi më 8 maj akuzoi Uashingtonin për minim të diplomacisë, duke thënë në një postim në X se “sa herë që një zgjidhje diplomatike është në tavolinë”, Shtetet e Bashkuara zgjedhin “një aventurë të pamatur ushtarake”.

Pavarësisht shkëmbimeve të akuzave, të dyja palët deklaruan publikisht se armëpushimi mbetet në fuqi.

Të fundit nga rubrika