Tentim vrasje në Ferizaj: Polici jashtë detyre dhe qytetari përleshen me armë – të dy përfundojnë të plagosur
Rreth orës 00:50 të së hënës, në fshatin Doganaj të Ferizajt ka ndodhur një incident i rëndë me armë zjarri, ku dy persona kanë mbetur të plagosur. Lajmi është raportuar ekskluzivisht nga Dukagjini në orët e para të mëngjesit. Policia ka konfirmuar për Dukagjinin se në rast ishin të përfshirë dy persona: një qytetar që […]
Rreth orës 00:50 të së hënës, në fshatin Doganaj të Ferizajt ka ndodhur një incident i rëndë me armë zjarri, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Lajmi është raportuar ekskluzivisht nga Dukagjini në orët e para të mëngjesit.
Policia ka konfirmuar për Dukagjinin se në rast ishin të përfshirë dy persona: një qytetar që ndodhej në një veturë “Golf 7” dhe një zyrtar policor, i cili nuk ishte në detyrë, me një veturë të tipit “BMW”.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për Dukagjinin se në vendin e ngjarjes kanë dalë fillimisht njësitë e rendit, më pas Hetimet Rajonale dhe Forenzika.
Për shkak të përfshirjes së zyrtarit policor, është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy veturat e përfshira, dy armë zjarri (të tipit pistoletë), 16 gëzhoja dhe një predhë.
Të plagosurit fillimisht janë trajtuar në Qendrën Emergjente të Ferizajt, për t’u dërguar më pas në QKUK në Prishtinë. Sipas personelit mjekësor, të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka marrë në pyetje dy dëshmitarë që ishin të pranishëm në njërën nga veturat, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me IPK-në dhe nën mbikëqyrjen e prokurorit kujdestar për krime të rënda.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ekskluzive/Shkëmbim zjarri mes një polici dhe një qytetari – Të dy të plagosur në Doganaj të Ferizajt















