Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për tentim vrasje në fshatin Potok të Podujevës.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, rasti thuhet se ka ndodhur enjten pasdite.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.

Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, kanë konfiskuar armën e zjarrit që është përdorur në rast AK-47 me një karikator dhe 9 fishekë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.