Një shtetas me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe gjermane është arrestuar të dielën, nën dyshimin se ka tentuar të djegë ambasadën e SHBA-së në Tel Aviv të Izraelit, ka njoftuar Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Autoritetet thanë se arrestuan 28-vjeçarin Joseph Neumayer në aeroportin John F. Kennedy në Nju Jork, pasi ishte deportuar nga autoritetet izraelite. Ai ishte kapur pranë ambasadës me një çantë shpine në të cilën kishte pajisje shpërthyese.

Neumayer doli para gjykatës të dielën dhe po mbahet në paraburgim, sipas Departamentit të Drejtësisë.

“Ky i pandehur akuzohet për planifikimin e një sulmi shkatërrues ndaj ambasadës sonë në Izrael, duke kërcënuar jetën e amerikanëve dhe atë të presidentit Trump,” tha Prokurorja e Përgjithshme, Pamela Bondi.

Arrestimi i tij ndodh vetëm pak ditë pasi një person i armatosur vrau dy punonjës të ambasadës izraelite jashtë një muzeu hebraik në Uashington DC.

Sipas zyrtarëve federalë, Neumayer kishte mbërritur në Izrael në prill, dhe më 19 maj kishte shkuar drejt ambasadës amerikane në Tel Aviv me një çantë shpine me ngjyrë të errët.

Ai kishte pështyrë një roje të ambasadës teksa kalonte pranë tij. Kur roja kishte tentuar ta ndalonte, Neumayer kishte ikur duke lënë pas çantën, në të cilën u gjetën tre koktej Molotovi – pajisje të improvizuara shpërthyese që përdoren për të shkaktuar zjarr.

Policia e gjeti Neumayer më vonë në hotelin e tij dhe e arrestoi.

Zyrtarët thanë se ai kishte bërë postime në rrjetet sociale duke kërcënuar se do të “djegë ambasadën në Tel Aviv” dhe kishte bërë thirrje për “vdekje Amerikës, vdekje amerikanëve”.

Ai gjithashtu kishte kërcënuar edhe për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump përmes një llogarie tjetër që besohet se i përkiste atij.

Neumayer u kthye në SHBA të dielën dhe u arrestua në aeroport. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim maksimal prej 20 vitesh burgim.

Ndërkohë, të mërkurën e kaluar, një çift i ri – Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim – u qëlluan për vdekje jashtë një eventi në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit në Washington DC.

Policia e identifikoi sulmuesin si Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Çikago. Sipas dëshmitarëve, ai kishte brohoritur “Liri për Palestinën” pas të shtënave.

Sekretarja për Siguri Kombëtare, Kristi Noem, pritet të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në Izrael për viktimat të hënën./BBC