Një person është arrestuar në fshatin Milloshevë të Obiliqit, i cili dyshohet se ka tentuar t’i trafikojë 57 shtetas të huaj.

Sipas Policisë së Kosovës i njëjti të mërkurën e një qershorit është ndaluar për kontrollim në autobusin e tij, ku në bord gjendeshin 48 shtetas sirianë, pesë nga Egjipti, dy nga Iraku, një nga Palestina dhe një nga Bangladeshi.

“Dyshohet se shtetasit e huaj kishin ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia dhe synim të mbërritjes kishin shtetet e perëndimit. Emigrantët janë trajtuar nga zyrtarë policorë nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën e Azilit në Magure”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim thuhet se për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe se në koordinim me të ndaj drejtuesit të autobusit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.