Tërheqja e mjeteve nga Trusti, të mërkurën diskutohet në Komisionin për Buxhet

Komisioni për Buxhet, të mërkurën e shtatë dhjetorit, do të shqyrtojë ndryshimin e Ligjit për Trust-in, në mënyrë që të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga ana e qytetarëve

Objekti i Fondit të Kursimeve Pensionale





Të mërkurën e shtatë dhjetorit, pritet të shqyrtohet ndryshimi i Ligjit për Trust-in në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Nën arsyetimin e gjendjes ekonomike në vend, partitë opozitare kanë kërkuar që nga TRUST-i të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga ana e qytetarëve.

Mbledhja do të mbahet në ora 10:00.

Mbi 21 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit Pensional.

Para se të shqyrtohet, projektligji për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti, i është dorëzuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ky projektligj duhet që të diskutohet në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, brenda dy deri në katër javë. Afati për trajtimin e tij përfundon të enjten.

Për këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka fajësuar kryetarin e këtij komisioni, Armend Muja.

Sipas Haxhiut, Muja po e shkel rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës.

Për këtë shkak, sipas Haxhiut, organizatorët e mbledhjes së nënshkrimeve, pas datës 24, mund ta padisin Mujën.

Haxhiu në një prononcim për Portali Dukagjini, ka theksuar se shkelja e rregullores së punës së Kuvendit është e barabartë me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.

“Projektligjin për Trustin e ka bllokuar Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryetari i komisionit Armend Muja. Ai po e shkel rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, shkelja rregullores së punës së kuvendit është e barabartë me shkelje të Kushtetutës së Kosovës sepse dy këto akte juridike votohen me 2/3 të deputetëve dhe është shkelje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë siguruar 21 mijë e 398 nënshkrime, por duket që Armend Muja mendon se është më i madh se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nuk i trajton kërkesat e tyre. Është lajmëruar nga iniciatorët e mbledhjes së nënshkrimeve që pas datës 24 edhe mund ta padisin Mujën”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.

Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim, projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë temë u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.

Kategorikisht, kundër këtij projektligji është shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, sipas opozitës, kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është kërkesë e qytetarëve dhe jo e tyre.





Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika