Tërmet në Turqi, vdes një 14-vjeçare nga atak paniku, 69 persona të lënduar
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 ka goditur detin Mesdhe pranë brigjeve të Marmarisit në provincën Mugla të Turqisë, duke shkaktuar panik në disa qytete. Sipas të dhënave të AFAD-it (Drejtoria për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave), tërmeti ndodhi në orën 02:17 të mëngjesit, me epiqendër 10.43 kilometra larg Marmarisit dhe në një thellësi […]
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 ka goditur detin Mesdhe pranë brigjeve të Marmarisit në provincën Mugla të Turqisë, duke shkaktuar panik në disa qytete.
Sipas të dhënave të AFAD-it (Drejtoria për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave), tërmeti ndodhi në orën 02:17 të mëngjesit, me epiqendër 10.43 kilometra larg Marmarisit dhe në një thellësi prej 67.91 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë fuqishëm në qytete si Izmir, Antalya, Aydın, Denizli dhe Manisa.
Si pasojë e sulmit të panikut në qytetin Fethiye, humbi jetën një vajzë 14-vjeçare. Ajo u dërgua në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë gjendjes së rënduar.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se nuk ka raportime për shembje ndërtesash të banuara, por 69 persona janë lënduar nga paniku ose duke u hedhur nga ballkonet apo lartësi të tjera.
Prej tyre, 14 janë trajtuar në vendngjarje, 8 janë liruar pas trajtimit në spital, ndërsa 46 të tjerë po marrin ndihmë mjekësore në urgjencë.
“Urojmë mëshirë për vajzën Afranur dhe ngushëllime për familjen e saj. Urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit. Zoti e ruajtë vendin dhe popullin tonë nga fatkeqësitë”, ka shkruar ai.
Ekipet e emergjencës janë ende në terren dhe po vazhdojnë verifikimet për dëme të mundshme./TRT
















