Tërnava: Islami dhe BIK-u nuk mund të njollosen me pretendime të pa verifikuara

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kërkon verifikimin e dokumentit "Top Secret" të gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit, të dyshuarit për spiunazh.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth dokumentit të cilësuar në publik si “Top Secret”, i cili raportohet se është gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit, të dyshuarit për spiunazh.

Tërnava ka shprehur shqetësimin e tij për pretendimet që, sipas tij, prekin jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe kulturën e bashkëjetesës në vend, njofton Dukagjini.

“Me vëmendje dhe shqetësim kam përcjellë zhvillimet e ditëve të fundit, në një kohë kur në hapësirën publike janë shfaqur pretendime dhe qëndrime që prekin jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe vetë kulturën e bashkëjetesës në vendin tonë”, shprehet Tërnava në deklaratën e publikuar sot.

Ai ka theksuar se besimi fetar në Kosovë është i lirë dhe se bindjet fetare të qytetarëve nuk duhet të përdoren për të vënë në dyshim përkatësinë e tyre kombëtare.

“Dua të theksoj qartë se në Republikën e Kosovës besimi është i lirë. Çdo individ dhe çdo komunitet ka të drejtë ta jetojë, ta shprehë dhe ta manifestojë bindjen e vet fetare. Por liria e besimit dhe e shprehjes nuk mund të përdoret për të mohuar besimin e tjetrit, për të denigruar një komunitet fetar apo për të vënë në dyshim përkatësinë kombëtare të qytetarëve për shkak të bindjeve të tyre fetare”, ka thënë ai.

Duke iu referuar dokumentit “Top Secret”, Tërnava ka kërkuar nga Prokuroria Speciale dhe institucionet kompetente që të verifikojnë në mënyrë të plotë autenticitetin, autorësinë dhe origjinën e tij.

“Publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë, përfshirë edhe materialet që lidhen me telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli dhe dokumentin e cilësuar në publik si ‘Top Secret’, ka krijuar një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”, ka deklaruar Tërnava.

Sipas tij, nëse dokumenti ekziston dhe është autentik, duhet të sqarohet se kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur dhe për çfarë qëllimi është përgatitur.

“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, ka thënë Myftiu i Kosovës.

Tërnava ka veçuar si veçanërisht të rënda pretendimet që lidhen me përmbajtjen e dokumentit. Sipas asaj që është bërë publike, në dokument Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si institucion nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së Serbisë, ndërsa pretendohet se përmes financimit të xhamive dhe medreseve synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”.

“Këto janë pretendime jashtëzakonisht të rënda. Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, ka deklaruar Tërnava.

Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë të kërkojë që emri dhe kredibiliteti i saj të mos dëmtohen përmes pretendimeve të paverifikuara.

Tërnava ka kërkuar gjithashtu që të sqarohet nëse dokumenti, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur në të kaluarën si bazë për akuza apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.

Në fund, Tërnava ka bërë thirrje që çështja të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave ligjore, duke theksuar se qëllimi nuk është përplasja, por zbardhja e së vërtetës.

“Kjo deklaratë nuk është thirrje për përplasje. Është thirrje për të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë institucionale”, ka thënë ai.

“Bashkësia Islame e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë emrin, kredibilitetin dhe dinjitetin e saj përmes rrugëve institucionale dhe ligjore, duke mbetur e përkushtuar ndaj misionit të saj dhe ndaj së mirës së përgjithshme të shoqërisë sonë”, ka përfunduar Tërnava.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika