Myftiu Naim Tërnava gjatë pritjes së kryeminsitrit në detyrë, Albin Kurti, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka ironizuar në një moment të bisedës, duke thënë se do të donte t’i ftonte të gjithë deputetët ta prenë nga një kurban.

Kështu u shpreh ai me shpresën se do të ndihmonte kjo në zgjidhjen e ngërçit politik.

“Desha t’i ftojë të gjithë anëtarët e Parlamentit ta premë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon më mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, ka thënë Tërnava.

Ndryshe, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës priti kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kabinetin e tij.

Gjatë vizitës, Kurti uroi festën dhe theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për të varfërit.

“Urime festa e Kurban Bajramit sot dhe jo vetëm sot. Le të ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë dhe ta përkujtojmë rëndësinë që ka sakrifica dhe solidariteti për një shoqëri të mirë dhe të drejtë. Paçit tryezat përplot me miq”, tha ai.