Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë të ditur se raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, po qëndron sot në Prishtinë, ku pritet të zhvillojë takime me një sërë përfaqësuesish institucionalë.
Përmes një postimi në platformën X, Orav tha se angazhimi i BE-së ndaj Kosovës mbetet “po aq i fortë sa gjithmonë”, si në terren ashtu edhe nga Brukseli.
Ai theksoi se para vendit janë hapur mundësi të reja bashkëpunimi, përfshirë edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“E mirëpritëm Riho Terras këtë mëngjes në Prishtinë, para takimeve të tij me shumë bashkëbisedues. Angazhimi i BE-së me Kosovën mbetet i fortë, me mundësi të reja në horizont, përfshirë Planin e Rritjes”, ka shkruar Orav.
