Provimi mbahet të shtunën, por rrugët për ta kaluar me sukses po kërkohen që tash.
Nëpër grupe të rrjeteve sociale, semimaturantët veçse janë organizuar si rëndom për kopjim.
Meqë kjo s’po mund të menaxhohet, prindërit në Kosovë po kërkojnë që Testi i Arritshmërisë të anulohet një herë e përgjithmonë.
“Më e arsyeshme është me largu testin e arritshmërisë sepse po stimulon analfabetë. Nxënësit shembullor po marrin pak pikë, nxënësit e dobët marrin shumë pikë. Ka shumë pakënaqësi në lidhje me këtë”, ka deklaruar Enver Balaj, Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Ndonëse deri më tash peticioni i prindërve s’gjeti mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Balaj thotë se është dhënë shpresë për vitin e ardhshëm.
“Do të ketë efekt pozitiv se i stimulon nxënësit shembullorë, ndërsa nxënësit që janë shumë mirë, mirë ose dobët mbesin aty ku janë. Sepse janë ata që po gjejnë mënyra me kopju edhe mandej ata marrin shumë pikë”, ka theksuar Balaj.
Por jo të gjithë pajtohen me heqjen e testit.
Njohës të Arsimit vlerësojnë se testimet e jashtme mbeten mekanizëm kryesor për matjen e gjendjes reale të sistemit arsimor.
“Duhet me vazhdu me u mbajt sepse format e vlerësimit siç janë këto të jashtmet pra jo subjektive…mundësojnë edhe me identifiku situatën se ku është sistemi arsimor, ku janë pikat me të forta me të dobëta sidomos në lëndë”, ka deklaruar Agon Ahmeti, organizata “ETEA”.
Sipas Ahmetit nga”, problemi nuk qëndron te testi, por te mënyra e administrimit të tij.
“Së pari duhet me fillu me fushata ndërgjegjësuese për nxënësit edhe mësimdhënësit që kopjimi nuk është ndihmë po dëm, sepse administratori është hallka kyqe që e mundëson kopjimin në klasë…Sepse është e pamundur që moshat e reja me nxjerr telefonin me përdor në qoftë se administratori është në krye të detyrës”, ka theksuar ai.
Njësoj si në Maturën Shtetërore, edhe në Testin e Arritshmërisë përdorimi i telefonit brenda klasës është rreptësisht i ndaluar.