Një test i ri gjaku mund të shënojë një hap të rëndësishëm në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së Alzheimerit, pasi premton të identifikojë ndryshimet patologjike në tru deri në një dekadë përpara shfaqjes së simptomave të para.
Zhvillimi u prezantua në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit (Alzheimer’s Association International Conference), ku studiuesit paraqitën rezultatet e testit që bazohet në biomarkerin e gjakut p-tau217.
Testi mat nivelin e proteinës p-tau217, e cila konsiderohet një tregues shumë i besueshëm i grumbullimit të pllakave amiloide në tru – një nga shenjat kryesore biologjike të sëmundjes së Alzheimerit.
Sipas studiuesve, nivelet e larta të kësaj proteine mund të parashikojnë me saktësi formimin e pllakave amiloide edhe te personat që nuk shfaqin ende simptoma si humbja e kujtesës, konfuzioni apo vështirësitë në të menduar, raporton Dukagjini.
Delores Hurst, drejtoreshë ekzekutive e degës së Arkansasit në Shoqatën e Alzheimerit, tha se testi përmirëson ndjeshëm saktësinë e diagnostikimit. Sipas saj, neurologët arrijnë një saktësi prej rreth 76%, ndërsa mjekët e kujdesit parësor rreth 65%, por testi i ri e eliminon këtë dallim duke u mundësuar edhe mjekëve të familjes të identifikojnë me besueshmëri pacientët në rrezik.
Ekspertët vlerësojnë se përdorimi i këtij testi mund të reduktojë nevojën për ekzaminime të kushtueshme, si tomografia PET, dhe të përshpejtojë diagnostikimin e hershëm, duke krijuar mundësi për ndërhyrje më të shpejta dhe trajtim më efektiv.
