Testimi i unazës njëkahore shkakton kaos në Prishtinë

Kolona të gjata janë krijuar në kryeqytet gjatë së shtunës si pasojë e testimit për të shndërruar unazën qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahshe, ndërsa qytetarët kanë pasur ankesa me kolonat e gjata që janë shkaktuar

Ndonëse është ditë pushimi, shumica e rrugëve në kryeqytet janë shndërruar në kolona të gjata të automjeteve.

E gjithë kjo si shkak i vendimit të Komunës së Prishtinës për t’i kthyer në njëkahore rrugët e unazës qendrore të qytetit si formë testimi.

Kolonat e gjata kanë shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët të cilët nuk e panë këtë praktikë si zgjidhje për kaosin në kryeqytet.
Në secilën prej këtyre rrugëve, prezente ishte Policia e Kosovës.

“Me gjithë këtë tollovi, asgjë nuk ka bërë, hyra në atë pjesën, polici më sinjalizoi, i thash nga të shkoj more? Çfarë zgjidhje, nuk është kjo zgjidhje , gjithmonë ka qenë tollovi, tash edhe më tollovi është bërë”, ka deklaruar qytetari Mensur Kurteshi për RTV Dkagjini.

‘’Kryetari jonë më i riu kjo është çmenduri, të lutem nuk është Angli as Duseldorf, as Munhen, të lutem liroji rrugët, aman mos i ngulfat popullin”, është shprehur qytetari tjetër Feriz Gashi.

Pamje të kolonave të gjata të automjeteve nga rrugët e kryeqytetit pas testimit të unazës njëkahore

Qytetarët kanë thënë se ky testim është ‘katastrofë’, mirëpo jo të gjithë janë të këtij mendimi, por kërkojnë durim për adaptim.

“Kolona pati goxha shumë, por hera e parë, ndoshta shkojmë duke u mësua”, ka thënë qytetarja Vjollca Hoti.

Përveç burive të pareshtura në rrugë, qytetarët shfryn mllefin edhe në rrjete sociale. Shumë ankesa ndaj kolonave u bënë edhe në Facebook.

Kohë pas kohe një dron kujdesej që nga lartësia të sjellë rezultatet e këtij eksperimenti.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu tregon se sipas nevojës, gjatë ditës kanë bërë ndërhyrje në planin e tyre.

“Tash në teren në praktikë kjo është edhe e mira, mënyra e testimit se kemi bërë edhe disa ndërhyrje pra semaforët janë ndërprerë, përveç semaforit të Menza edhe semafori në Dardanit te Santea’’.

‘’Te semafori i Katedrales janë rritë sekondat e dritës së gjelbër për arsye që e kemi pa të nevojshme. Gjithashtu, që nuk ka qenë në plan, e kemi bërë mbylljen edhe të Ramiz Sadikut, te NLB-ja me qëllim që ajo pjesa e korsisë deri te Santea me u lirua”, ka thënë Drejtor i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu për RTV Dukagjini.

Një testim të tillë në vikend e ka vlerësuar si të duhur edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

Pavarësisht krijimit të kolonave, ai thotë se duhet të pritet më gjatë për t’i parë rezultatet.

“Nuk janë automjete pune sikur nga e hëna në të premten, në vikende janë automjete rekreative edhe testi nuk është i dobët, është test që do të shihet a do të funksionojë apo jo”.

Sipas komunës testimi, do të vazhdojë edhe të dielën, derisa planifikohet që ai të përsëritet pas tre javësh, por në ditë pune.

Pas dy muajsh, komuna thotë se Task Forca rrugore do të dalë me një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika