Tetë komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje këtë të martë, ku në rend dite janë projektligje dhe çështje nga fusha e drejtësisë, sigurisë, ekonomisë dhe arsimit.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Komisioni për Legjislacion do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe do të intervistojë kandidatët për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Në Komisionin për Punë të Jashtme do të shqyrtohet marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, ndërsa ai për Siguri do të diskutojë dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar në Gaza.
Komisioni për Ekonomi do të trajtojë kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Projektligjin për Energjinë.
Ndërkohë, komisionet tjera do të merren me çështje si provimi i maturës shtetërore, përzgjedhja e anëtarëve në borde (RTK dhe KPM), si dhe projektligje për menaxhimin e ujërave dhe banimin social.
Mbledhjet nisin nga ora 08:00 dhe zhvillohen gjatë gjithë ditës në Kuvendin e Kosovës.