Të hënën janë bërë tetë vjet qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte publikuar vendimin e saj për kontestin e krijuar ndërmjet PDK-së dhe bllokut opozitar LDK, AAK, NISMA.

Vendimi thoshte se zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës ishte antikushtetuese.

Kushtetuesja vendosi në favor të PDK-së, duke publikuar të plotë vendimin e saj në ueb-faqen e saj përkitazi me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014, raporton KP.

Në vendimin final, Gjykata Kushtetuese nuk jep sqarime nëse në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit nga një grup parlamentar, e drejta t’i kalohet grupit tjetër, që rrjedhimisht askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.