Thaçi largohet nga shtëpia e tij në Burojë, nesër pritet t’i takojë familjarët e tjerë në selinë e EULEX-it
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar vizitën e tij te familja në Burojë pas një leje të dhënë nga Gjykata Speciale për arsye humanitare, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi. Teksa largohej nga shtëpia, ai përshëndeti mediat me simbolin e njohur të gishtit të madh lart, një gjest që ka […]
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar vizitën e tij te familja në Burojë pas një leje të dhënë nga Gjykata Speciale për arsye humanitare, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.
Teksa largohej nga shtëpia, ai përshëndeti mediat me simbolin e njohur të gishtit të madh lart, një gjest që ka shoqëruar shumë nga paraqitjet e tij të shumta publike.
Gjatë ditës së sotme, Thaçi u takua me nënën dhe gruan e tij, ndërsa nesër, në selinë e EULEX-it, pritet të takohet me vëllezërit, djalin dhe motrën.
Thaçi në Kosovë, homazhe te varri i babait dhe takon familjen e ngushtë
Vizita e tij në Kosovë ka ardhur pas një vendimi të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat fillimisht nuk i kishin lejuar pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të babait të tij, duke u arsyetuar me çështje procedurale. Kjo kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe politik në Kosovë, duke u cilësuar si një shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
Thaçi mbërriti në Kosovë sot në mëngjes me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga zyrtarët e EULEX-it. Menjëherë pas mbërritjes, ai shkoi në varrin e babait të tij në Burojë.
“Te varri i yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderojë të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ishte mesazh prekës në kurorën që la te varri i babait të tij.
Ish-presidenti ka ardhur sot në Kosovë për herë të katër që nga arrestimi i tij nga Gjykata Speciale në Hagë në nëntor të vitit 2020.















