Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur pakënaqësinë e tij për mbajtjen e seancës gjyqësore nga Dhomat e Specializuara në Hagë pikërisht më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërën prej festave më të rëndësishme kombëtare për shqiptarët.

Thaçi e ka cilësuar këtë vendim si të papërshtatshëm dhe të papranueshëm, duke thënë se përbën një “befasi jo të mirë” për të dhe për çdo shqiptar.

Ai u shpreh se mbajtja e një seance gjyqësore në një ditë të tillë nuk do të ndodhte në vendet e tjera të botës për festat e tyre kombëtare dhe se një praktikë e tillë duhej të ishte respektuar edhe ndaj shqiptarëve.

“Është në interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatës, pasi që si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi traditat e vlerat shtetërore. Caktimi i kësaj seanca pikërisht sot më 28 nëntor do të duhej të evitohej. Mbajtja e kësaj seance sot, për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë. I nderuar gjyqtar, çdo shqiptar sot ka festë kombëtare, shtetërore e familjare, sepse është festa e dinjitet dhe krenarisë kombëtare ku si çdo popull i lirë në botë feston dhe kujton”, ka thënë Thaçi në fjalën e tij.