Thaqi nga OVL e UÇK-së: PDK-ja ka qenë disa herë pengesë, tentoi që të politizohen protestat
Xhevdet Thaqi nga OVL e UÇK-së dega në Has ka përshëndetur organizimin e protestës së sotme në Tiranë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Thaqi, në “FIVE” në RTV Dukagjini, u shpreh se përgëzon OVL-në që nuk ka lejuar që këto protesta që mbahen sot për herën e tretë pas […]
Xhevdet Thaqi nga OVL e UÇK-së dega në Has ka përshëndetur organizimin e protestës së sotme në Tiranë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Thaqi, në “FIVE” në RTV Dukagjini, u shpreh se përgëzon OVL-në që nuk ka lejuar që këto protesta që mbahen sot për herën e tretë pas Prishtinës dhe Holandës nuk lejuan që të politizohen.
Mes tjerash, Thaqi, deklaroi se për OVL-në e UÇK-së, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pengesë pasi sic thotë ai disa herë kanë tentuar që të politizojnë këto protesta.
“Që nga pas lufta për herë të parë mbahen tri protesta që organizohen nga OVL e UÇK-së e që dallojnë nga të tjerat pasi nuk kanë lejuar që të futen partitë politike dhe i përgëzoj që nuk lejuan të politizohen këto protesta. Protestat që po mbahen tash e tri herë është për kohën e UÇK-së dhe jo për arrestim të ish-presidentit në rrethana tjera. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pengesë duke i futur hundët dhe ta përzijnë me politikën, por kjo që po ndodh sot është madhështore”, u shpreh Thaqi.
Tutje, Thaqi tha se këto protesta kanë bërë më shumë për ish-krerët e UCK-së që po gjykohen sesa shumë politikanë.
“Gjatë pesë viteve që janë ish-krerët në burg punën më të madhe e kanë bërë këto protesta sesa politikanët. Këto protesta janë komunikim në distancë me Gjykatën Speciale dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës. Shpresojmë që do të dalin të lirë, por dikush do të japë llogari dhe dikush do të dënohet”, u shpreh Thaqi.















