Thatësirat në Teksas zbuluan gjurmët 113 milion vjeçare të dinosaurëve

Një thatësirë në Teksas ka tharë një lumë që rrjedh nëpër Parkun Shtetëror të Luginës së Dinosaurëve, duke ekspozuar gjurmët e zvarranikëve gjigantë që kanë jetuar rreth 113 milionë vjet më parë.

Gjurmët e një Acrocanthosaurus i cili mendohet se ka jetuar rreth 113 milionë vjet më parë. (Dinosaur Valley State Park / AFP)

Fotot e postuara në Facebook tregojnë gjurmët me tre gishta që të dërgojnë poshtë shtratit të lumit që gjendet në pjesën jugore të SHBA-së.

Është “një nga shtigjet më të gjata të dinozaurëve në botë”, thotë një mbishkrim që shoqëron imazhet.

Stephanie Salinas Garcia e Departamentit të Parqeve dhe Kafshëve të Egra në Teksas tha se moti i thatë i bëri gjurmët të dukshme.

“Për shkak të kushteve të thatësirës së tepërt verën e kaluar, lumi u tha plotësisht në shumicën e vendeve, duke lejuar që të zbuloheshin më shumë gjurmë këtu në park,” ka thënë ajo.

“Në kushte normale të lumit, këto gjurmë të reja ishin nën ujë dhe zakonisht janë mbushur me sediment, duke i bërë ato të varrosura dhe jo aq të dukshme,” ka thënë zonja Garcia.

Parku shtetëror dikur ishte në buzë të një oqeani të lashtë. (Parku Shtetëror i Luginës së Dinozaurëve / AFP)

Shumica e gjurmëve të zbuluara së fundmi janë bërë nga Acrocanthosaurus i rritur, i cili peshonte gati shtatë ton dhe ishte 4.5 metra i gjatë.

Një tjetër dinosaur, Sauroposeidon, gjithashtu la gjurmë në park. Ai ishte më shumë se 18 metra i gjatë dhe peshonte 44 ton në moshë madhore.

Parku shtetëror ku dinozaurët lanë gjurmë në baltë – është i vendosur në zonën të brendshme në jug-perëndim të qytetit të Dallas-it – dikur ishte buzë një oqeani të lashtë, thotë ueb-faqja e këtij parku.

Përderisa thatësira zbuloi gjurmët, parashikohet mot me shi, që do të thotë se ato do të mbulohen edhe një herë.

“Përderisa së shpejti do të varrosen sërish nga shiu dhe lumi, Parku Shtetëror i Dinosaur Valley do të vazhdojë të mbrojë këto gjurmë 113 milionë-vjeçare jo vetëm për brezat e tanishëm, por edhe për brezat e ardhshëm”, ka thënë zonja Garcia.

Të fundit nga rubrika