Thellohet kriza politike në Irak, kërkohen zgjedhje të reja

Ka më shumë se 10 muaj nga zgjedhjet e fundit në Irak dhe ende vendi është pa president dhe pa kryeministër. Kjo për shkak se asnjë nga partitë që kanë garuar nuk i kanë marrë votat e mjaftueshme për ta qeverisur të vetëm vendin

Foto: aljazeera. Mbështetësit e liderit shiit, Moqtada Sadr

Janë bërë gati 10 muaj nga zgjedhjet e fundit në shtetin e Irakut dhe ende vendi është pa qeveri, pa kryeministër e pa president të ri.

Kjo gjendje ka ardhur pas mospajtimeve në mes partive për formimin e një koalicioni.

Udhëheqësi shiit, Moqtada Sadr, blloku i të cilit fitoi më së shumti vende në zgjedhjet e Irakut vitin e kaluar, kërkoi të mërkurën që parlamenti të shpërndahej dhe të thirreshin zgjedhje të reja kombëtare, raporton Arabnews.

Si pasojë e trazirave të fundit politike në vend, Sadr ka bërë thirrje për një “proces revolucionar dhe paqësor, pastaj zgjedhje të parakohshme demokratike pas shpërbërjes së parlamentit”.

Fjalimi i tij erdhi derisa thirrjet për dialog po intensifikoheshin pasi mbështetësit e liderit Moqtada Sadr, për të pestën ditë radhazi e kanë ‘pushtuar’, parlamentin në shenjë proteste ndaj nominimit për kryeministër të një rivali nga një fraksion tjetër shiit.

Megjithatë, sipas kushtetutës, parlamenti mund të shpërndahet vetëm me shumicë votash. Një votim i tillë mund të bëhet me kërkesë të një të tretës së ligjvënësve, ose nga kryeministri me marrëveshje me presidentin.

“Unë jam i sigurt se shumica e popullsisë është e zemëruar nga klasa sunduese në tërësinë e saj, duke përfshirë disa (politikanë) që i përkasin lëvizjes sime,” tha Sadr.

Foto: arabnews. Mbështetësit e liderit shiit, Moqtada Sadr

“Që tani e tutje nuk do të ketë më politikanë të gardës së vjetër, pavarësisht nga përkatësia e tyre”, ka shtuar ai.

Blloku i Sadr-it doli nga zgjedhjet e tetorit si fraksioni më i madh, por ishte ende shumë larg votave të mjaftueshme për të qeverisur.

Në qershor, 73 ligjvënësit e tij dhanë dorëheqjen, gjoja në një përpjekje për të thyer bllokimin politik.

Sadr, i cili dikur udhëhoqi një ideologji antiSHBA dhe që ka miliona ndjekës të përkushtuar, vuri në dukje gjithashtu se ai nuk kishte “asnjë interes” për të negociuar me rivalët e tij.

Mbështetësit e klerikut kanë ngritur një kamp jashtë parlamentit me tenda dhe stalla ushqimore. Ndërkaq, vetë Sadr të mërkurën u bëri thirrje atyre që të vazhdojnë të qëndrojnë aty.

“Revolucionarët dhe protestuesit që marrin pjesë në protestë duhet të qëndrojnë dhe të vazhdojnë kampin e tyre deri në realizimin e kërkesave”, ka thënë ai.

Në Irakun multikonfesional dhe multietnik, formimi i qeverisë ka përfshirë negociata komplekse që nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA në vitin 2003, që rrëzoi diktatorin Sadam Husein.

Dorëheqja e ligjvënësve të Sadr-it bëri që blloku proIranit të bëhej më i madhi në parlament, por ende nuk kishte marrëveshje për postet e reja të larta.

Kampi ‘sadrist’ u zemërua nga Korniza Koordinuese javën e kaluar që nominoi ish-ministrin Mohammed Shia Al-Sudani si kryeministër.

Korniza e Koordinimit është një grup që përfshin ish-kryeministrin Nuri Al-Maliki, një armik i vjetër i Sadr-it, dhe Hashed Al-Shaabi, një ish-paraushtarak i integruar tani në forcat e sigurisë.

Foto: arabnews. Mbështetësit e liderit shiit, Moqtada Sadr

Kryeministri në largim Mustafa Al-Kadhimi ka bërë thirrje për një “dialog kombëtar” në përpjekje për të bashkuar të gjitha palët për të biseduar, të mërkurën ai foli edhe me presidentin Barham Salih.

Sipas Agjencisë irakiane të lajmeve, të dy burrat theksuan rëndësinë e “garantimit të sigurisë dhe stabilitetit” në vend.

Armiku i Sadrit, Al-Maliki tha të mërkurën vonë “dialogu serioz që jep shpresë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve… fillon me respektimin e institucioneve kushtetuese”.

Mijëra mbështetës të Kornizës së Koordinimit kanë mbajtur kundërprotesta në Bagdad kundër pushtimit të parlamentit.

“Mos i besoni thashethemet se unë nuk dua dialog”, tha Sadr të mërkurën.

“Por ne kemi provuar tashmë dhe kemi përjetuar dialogun me ta”, shtoi ai. “Nuk na ka sjellë asgjë neve dhe kombit – vetëm rrënim dhe korrupsion”.

Më herët të mërkurën, misioni i Kombeve të Bashkuara në Irak u bëri thirrje liderëve që “t’i japin përparësi interesit kombëtar” dhe t’i japin fund luftës së gjatë për pushtet.

“Dialogu kuptimplotë midis të gjitha palëve irakiane është tani më urgjent se kurrë, pasi ngjarjet e fundit kanë treguar rrezikun e shpejtë të përshkallëzimit në këtë klimë të tensionuar politike,” paralajmëroi misioni i OKB-së.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, foli gjithashtu me liderët politikë të mërkurën, duke thënë se “dialogu dhe konsultimi” ishte e vetmja rrugëdalje nga kriza.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika