Një 37-vjeçar ka humbur jetën nga plagët e marra me thikë në Mitrovicën e Jugut.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 27 maj 2026, rreth orës 22:00, policia ka pranuar informatën se në Spitalin Rajonal Mitrovicë Jugu ndodhej një person i lënduar me thikë. Mjeku kujdestar ka konfirmuar se viktima, mashkull 37-vjeçar, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve, njofton Dukagjini.
Tutje bëhet e ditur se në këtë rast ishte lënduar edhe një person tjetër me mjet të mprehtë nga i dyshuari i njëjtë, ku pas tretmanit mjekësor, gjendja shëndetësore e tij është jashtë rrezikut për jetën.
“Me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar e gjithashtu është sekuestruar mjeti i mprehtë (thika) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull i moshës 31 vjeç, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa njësitet kompetente policore do të vazhdojnë me hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.