Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me 141 vota pro dhe 32 abstenime, për t’i bërë thirrje Rusisë që të tërhiqet menjëherë dhe pa kushte nga Ukraina, gjë që është konsideruar si një shenjë se komuniteti ndërkombëtar nuk është lëkundur në vendosmërinë e tij për t’i dënuar veprimet e Rusisë.

Në total, 141 vende shprehën mbështetjen e tyre për rezolutën. Shtatë ishin kundër – Rusia, Bjellorusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Mali, Nikaragua dhe Siria.

Në votimin e fundit që u zhvillua menjëherë pasi Rusia aneksoi republikat në lindje të Ukrainës, Rusia u dënua me 141 pro dhe 7 kundër përfshirë shtetin rus dhe 32 abstenime, shumica e tyre nga vendet afrikane, raporton BBC.

India ka abstenuar edhe një herë nga votimi që dënonte pushtimin rus të Ukrainës, i cili filloi një vit më parë.

Votimet e plota të rezolutës së OKB-së

India përsëriti qëndrimin e saj për pushtimin, duke thënë se dialogu paqësor ishte e vetmja rrugëdalje.

Delhi është përballur gjithnjë e më shumë me presion për të marrë një qëndrim të vendosur ndaj Rusisë.

Shumë vende përfshirë SHBA-në dhe Ukrainën, i kanë bërë thirrje publikisht Delhit që të mbajë një qëndrim të qartë dhe “të bëjë gjënë e duhur”.

Por, India i ka rezistuar presionit dhe ka vazhduar me strategjinë e saj për të mos kritikuar drejtpërdrejt Rusinë. Ajo ka abstenuar nga rezoluta të ngjashme si në OKB, ashtu edhe në KS në të kaluarën.

Pas shpalljes së rezultateve shpërthyen duartrokitjet. Në anën tjetër, Rusia ka punuar shumë për t’i dhënë fund izolimit të saj, duke vënë në dukje dëmin që Perëndimi i ka bërë duke dërguar armë në rajon ose duke vënë në dukje një krizë urie në rritje, duke fajësuar sanksionet perëndimore.

Pamje pas numërimit të votave në seancën speciale të OKB-së, foto AFP, 2023

Mocioni i OKB-së në New York bëri thirrje për paqe të menjëhershme dhe ripohoi mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke hedhur poshtë çdo pretendim rus për pjesët e vendit që ajo pushton.

OKB-ja gjithashtu kërkoi “që Federata Ruse të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht” dhe bëri thirrje për një ndërprerje të armiqësive.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba, ka thënë se duke votuar për rezolutën e sotme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 141 vende anëtare të OKB-së e bënë të qartë se Rusia duhet ta ndalojë agresionin e saj të paligjshëm.