Thirrje për lirimin e policëve të kidnapuar dhe letra e dërguar Macron-it e Scholz-it, çka deklaroi Rama të premten?

Kryeministri Rama bëri të ditur se i është drejtuar përsëri me një letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Ai ka përsëritur thirrjen e tij për lirimin e tre policëve kosovarë të kidnapuar nga forcat policore serbe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë apel që lirimi i tre policëve të kidnapuar të jetë i menjëhershëm.

Një ditë pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, Rama mbajti një konferencë për media, në të cilën deklaroi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë nuk mund të jenë të njëjtat, gjersa policët e kidnapuar nuk lirohen. Njëherit, Rama theksoi se një gjë e tillë pengon edhe përparimet në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo në deeskalim konkret, pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet e Shqipërisë e Serbisë, për aq kohë sa Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim. Edhe nëse kanë kaluar vijën e kufirit, ta ndërmarrim të mirëqenë këtë pretendim, dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik, për kalim të paligjshëm të kufirit njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht, me masën e ndalimit të hyrjes në një kohë të caktuar. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme”, ka deklaruar Rama.

Ky i fundit ka deklaruar se shqetësuese mbetet edhe përpjekja për ta mbuluar këtë veprim, e që Rama e cilësoi si “lajthitje shtetërore”.

Rama bëri të ditur se i është drejtuar përsëri me një letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit të Këshilit Evropian, Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e e një shtyse të re konkrete, si kumbarët e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e SHBA-së që plani franko-gjerman të zbatohet domosdo”, ka thënë Rama.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se degradimi i situatës në veri, si rezultat i ndeshjes së politikave të brendshme të të dy palëve, po e rrit me orë klimën e tensionit, duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur në mes të grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, për të cilën ka thënë se do të ishte një katastrofë. Sipas tij, kjo situatë nuk i shkon për shtat as Kosovës e as Serbisë.

Rama e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit.

Rama tha se Kurti e ka refuzuar ballafaqimin për këtë temë, derisa tha se ai i lexon sondazhet dhe “kënaqet që po i rriten poenat”.

“Albini nuk e ka dashur konfrontimin apo ballafaqimin për këtë temë, sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenat. Shqipëria nuk është noter dhe nuk mund të jetë kurrë noter e çdo politike që ndjek Kosova. Aq më tepër nëse Shqipëria trajtohet si vëlla i madh, që s’e kam thënë kurrë, sepse jemi dy shtete të ndryshme”, ka thënë ai.

Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji.

Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe thellë brenda territorit të Kosovës.

 

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika